Ferizaj ka ndezur qirinj në nderim të Liridona Ademajt, e cila u vra mbrëmjen e së mërkurës.
Kështu ka bërë të ditur Komuna e Ferizajt përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Në njoftimin e tyre thuhet se kjo ngjarje simbolizon shenjën e fortë të bashkëlidhjes dhe solidaritetit për Liridonën.
“Në Ferizaj ndizen qirinj në nderim të Liridona Ademajt . Grupi i asambleistëve të Kuvendit të Komunës sonte në sheshin e qytetit “Adem Jashari”, kanë bërë ndezje e qirinjëve në nderim të jetës së Liridona Ademajt. Sonte bashkë me një grup të përbërë nga gra asambleiste dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, po ndajme me ju një veprim simbolik”.
“Kjo ngjarje simbolizon shenjën tonë të fortë të bashkëlidhjes dhe solidaritetit për Liridonën, një grua e cila humbi jetën nga vrasja brutale nga burri i saj. Nuk mundemi të qëndrojmë të heshtur ndaj dhunës dhe vrasjen ndaj grave, nënave dhe motrave tona.Kjo ngjarje tragjike na detyron të ngrisim zërin dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë. Përmes qirinjëve, ne dëshirojmë të shprehim zemërimin tonë ndaj këtij akti barbarë”, ka thënë Mimoza Sojeva-Pajaziti, kryetare e grupit të grave”.