Lajme

Fëmijët – Kapitulli më i bukur i jetës!

05/27/2022 17:44
nga:K G

Me afrimin e festës së 1 Qershorit, “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve”, është e rëndësishme që fëmijët t’i ekspozojmë në aktivitete të cilat i nxisin ata të krijojnë shprehi të ndryshme që u ndihmojnë në shëndetin e tyre fizik deri te mirëqenia e shëndetit mendor dhe emocional.

Padyshim, e para që prezantojmë në këtë artikull është::

LEXIMI – Leximi i libarve parasëgjithash kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve ndërpersonale të fëmijës.
Nëse flasim për një shëndet mendor sa më të mirë të fëmijëve, atëherë padyshim libri shënon rekordin e dobive. Sipas psikologëve, libri është thesari më i çmuar për të pasuruar botën e brendshme të njeriut.
Është pikërisht libri ai që nxit imagjinatën e fëmijës dhe e bën mendjen e tij të jetë më kreative dhe aktive, si dhe ndikon në rritjen e vetëbesimit.

Është shumë e rëndësishme që fëmijëve të vegjël t’u lexohen përralla. Një fëmijë që rritet duke i lexuar përralla, bëhet një i rritur që lexon libra. Përrallat janë librat ideal për fëmijët, për shkak të gjithë elementeve që përmbajnë.
Prandaj prindër, praktikoni që para gjumit t’i lexoni përralla fëmijëve tuaj me qëllim që të krijoni të rritur që lexojnë.

VALLËZIMI – Studime të tëra shkencore kanë vërtetuar ndër vite se vallëzimi: qetëson, rrit kreativitetin dhe ndihmon për të larguar shumë gjendje të tilla si ankthin, depresionin dhe pagjumësinë tek fëmijët. Vallëzimi është një ndër aktivitetet më të mira për fëmijët sepse:
– Përmirëson qëndrimin fizik!
Për shkak të përdorimit të tepruar të pajisjeve teknologjike, fëmijët mund të kenë probleme qëndrimi, fokusimi dhe vështirësi në zhvillimin e aftësive sociale të tyre. Me anë të artit të vallëzimit, lëvizjeve dhe ushtrimeve, fëmijët edukohen me mënyrën e drejtë të qëndrimit.
Studimet gjithashtu tregojnë se të dëgjuarit muzikë, i ndihmon fëmijët për t’u relaksuar duke e rritur ndjenjën e lumturisë dhe i bën më optimist. Kur gërshetohet me vallëzim muzika, rrit vetbesimin e fëmijëve të ndrojtur dhe i ndihmon ata të socializohen.

HIGJIENA ORALE – DHËMBË TË SHËNDOSHË, FËMIJË TË LUMTUR

Fëmijët duhet të ushqehen sa më shumë me ujë, produkte të qumështit, çaj kamomil, pemë e perime të freskëta dhe t’i largojnë sa më shumë ushqimet që përmbajnë sheqer, kripë dhe nga pijet e gazuara.

Dhëmbët duhet të pastrohen në mëngjes, gjatë ditës sipas nevojës dhe në mbrëmje para gjumit.
Gjithashtu edhe vizitat e rregullta te dentisti për fëmijët janë të domosdoshme.

Të dashur prindër, kjo është vetëm një kaptinë e vogël e disa aktiviteteve që janë të nevojshme për fëmijët tuaj, prandaj kur jemi te dita e tyre që festohet anembanë, të sillemi edhe rreth aktiviteteve të tyre që mund të ndihmojnë në rritjen e fëmijëve të shëndosh.
NJË SHOQËRI MË FËMIJËRI TË SHËNDOSH, PADYSHIM KA NJË TË ARDHME TË NDRITUR!