Komiteti Ekzekutiv në FSHF ka vendosur datën 2 mars, datë kjo në të cilën do të mbahet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore.
Megjithatë, nga ky moment një tension i madh ka “shpërthyer” në Shqipëri, atje ku dy grupe të forta po kërkojnë që të udhëheqin me mandatin e ri në institucionin më të lartë të futbollit.
Interesant është fakti se brenda kësaj gare është përfshirë fuqishëm edhe Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, i cili po e “lufton” rizgjedhjen e presidentit të tanishëm, Armand Dukës.
Kishte disa përgjime të publikuara ditën e djeshme, atje ku Veliaj shfaqet me një fjalor aspak të hijshëm, kurse në mbrëmje e gjitha përfundoi në mënyrën më të keqe, atje ku u sulmua me tritol shtëpia e Dukës.
Në lidhje me këto zhvillime, ‘GazetaBlic Sport’ ka kontaktuar zëdhënsin e FSHF-së, Andi Verçanin.
Vreçani shpjegoi në detaje situatën e fundit të krijuar në insitucionin më të lartë të futbollit shqiptar, ku tha se ka rreth dy javë që po zhvillohet një presion i madh në drejtim të anëtarësisë nga Erion Veliaj dhe njerëzit e tij.
“Prej dy javësh komuniteti i futbollit dhe anëtarët e tij janë kërcënuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Madje, dy anëtarë janë larguar nga puna gjë që e ka konfirmuar edhe vetë Veliaj. Situata ishte e tensionuar prej kohësh, atje ku përfaqësues të partisë në pushtet kanë kontaktuar trajnerët e futbollit tonë dhe i kanë urdhëruar për të votuar për kandidatin e tyre, Eduard Prodani. Prej disa ditësh, presidenti Duka kërcënohej në telefon dhe i thuhej të tërheqej nga gara e të mos shkojë shumë vonë kjo çështje. Ngjarja e mbrëmshme nuk është kërcënim vetëm ndaj Armand Dukës, por është kërcënim ndaj gjithë futbollit shqiptar, kërcënim ndaj të cilit kanë reaguar edhe mediat ndërkombëtare”, tha fillimisht Verçani për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas, Vreçani dha detaje shtesë në atë që po konsiderohet si luftë e partisë në pushtet ndaj udhëheqësisë së FSHF-së, atje ku tha se pikërisht kjo parti po synon ta marrë nën kontrollë edhe institucionin më të lartë të futbollit shqiptar.
“Siç jeni njoftuar ditën e djeshme Z.Veliaj është shprehur me gojën e tij që “FSHF është i vetmi ishull që nuk e kemi në kontrollë”. Ne mendojmë që pikërisht është ajo që gjë që ai dëshiron tani, ta marrë nën kontrollë edhe institucionin më të lartë të futbollit shqiptar. Ne po kërkojmë që të ketë zgjedhje të lira, pa presione e pa shantazhe banditeske. Anëtarësia e FSHF-së duhet të jetë e lirë me votën e saj. Kjo anëtarësi duhet të vlerësojë vetë punën që FSHF ka bërë deri më tani, punë kjo që ka ndikuar në rezultatet e mira të kombëtares dhe rritjen e vazhdueshme të skuadrave tona shqiptare”, vazhdoi me deklaratën e tij, Verçani.
Krejt në fund, Verçani tha se kjo gjë mund të sjellë një rrezik të madh në raport me UEFA-n, me organizatën që lëshoi edhe një deklaratë në këtë drejtim.
“Shqipëria do të priste një finale të Conference Leagues në Tiranë, por tani gjërat duket të jenë pak më ndryshe. Rreziku është i madh që UEFA të marrë masa, madje lëshoi edhe një deklaratë në këtë drejtim. Kjo mund të jetë vërtetë një histori e cila mund të ketë fund tragjik nëse gjërat shkojnë në këtë mënyrë, megjithatë, uroj që gjithçka të ndryshojë dhe gjërat të përfundojnë në mënyrën e duhur“, përfundoi Verçani.
/GazetaBlic Sport/


