Ekipi i Prishtinës 01 në futsall ka arritur kualifikimin në “Elite Round” në Ligën e Kampionëve, sukses ky i jashtëzakonshëm nga kryeqytetasit, pasi do garojnë me klubet më të mëdha evropiane të këtij sporti.
Sot në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për Elite Round, ku FC Prishtina 01 ka mësuar kundërshtarët. Kampioni i Kosovës, do të luajë në grupin B së bashku klube të njohura si Benfica (Portugali), Kairat Almaty (Kazakistan), Dobovec (Sllovenia), përcjell GazetaBlic Sport.
Lojtari i FC Prishtina 01, Drilon Maxharaj është shprehur shumë i lumtur me sukseset e arritura me ekipin e tij.
“Sa i përket kualifikimit dhe ndeshjeve të radhës me ekipe të mëdha, mund të them se kjo ka një pozitivitet të madh për vendin tonë dhe neve gjithashtu, pasi është hera e parë që kemi mbërritur në një nivel të lartë me lojtarët vendor”, tha fillimisht Maxharraj për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai potencon se skuadra e tij mund t’i arrijë objektivat e radhës vetëm me punë dhe përkushtim.
“Çdo qëllim do arrihet vetëm nëse ka përkushtim, punë dhe mund”, vazhdoi Maxharraj.
Në fund, ai tha se kanë ambicie të mëdha dhe pret mbështetjen e tifozëve në çdo takim, si deri tani.
“Synimet si ekip do jenë gjithmonë për arritje të larta dhe sa i përket mbështetjes së tifozëve ajo ka qenë gjithmone e pranishme dhe besoj që do jetë gjithmonë”, përfundoi ai.
Ndeshjet e Prishtinës në Champions League do të zhvillohet nga 28 nëntori deri më 3 dhjetor në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
/GazetaBlic Sport


