“Ne nuk dimë më të mbrohemi. Shumë pak kujdes i kushtohet fazës së mbrojtjes. Ende nuk e kam parë te kjo Itali urinë për ta rikthyer topin. E dua marrëzisht kombëtaren; edhe në shtëpi ngrihem në këmbë për himnin, por nuk pendohem që nuk e kam drejtuar atë”, tha Fabio Capello.
Duke folur me Gianni Valentit, zëvendësredaktorin e “Gazzetta” dhe drejtorin shkencor të Festivalit Sportiv të Trentinos, Fabio Capello riktheu në kujtesë karrierën e tij: katër tituj të Serie A si lojtar dhe periudhën e tij me kombëtaren, më pas pesë tituj të Serie A dhe një Kupë Evropiane si trajner me Milanin dhe Romën, përveç periudhës së tij në Madrid, kohës në krye të kombëtareve dhe përvojave në Angli, Rusi dhe Kinë.
“Trajnerët kanë shumë pak guxim kur bëhet fjalë për aktivizimin e lojtarëve të rinj, të cilët duhet të testohen për t’u vlerësuar. Të rinjve duhet t’u jepet mundësia t’i tregojnë cilësitë e tyre, ndërsa në vend të kësaj më shumë hapësirë u jepet lojtarëve të huaj. Nga pikëpamja e lojës, fokusi është te posedimi dhe lojtarët dekurajohen të guxojnë, të luajnë vertikalisht. Do të doja ta shihja futbollin italian të rikthehej te ajo që ishte dhe te ajo që na bënte krenarë. Sot nuk kam shumë besim; mungon përulësia për ta kuptuar se ku duhet të shkojmë të gjithë së bashku”, tha ai tutje.
Pasi aktiviteti përfundoi zyrtarisht, Capello foli sërish dhe shpjegoi arsyen.
“Me të vërtetë duhet ta them këtë: lërini të rinjtë të argëtohen duke luajtur futboll. Unë kam drejtuar sektorë të të rinjve për pesë vjet. Në fillim të vitit futbollistik i mblidhja prindërit dhe u thoja: nuk dua t’ju dëgjoj duke bërtitur ndaj gjyqtarit, kundërshtarëve apo kujtdo tjetër. Nëse ndodh, djali juaj nuk luan”, e mbylli ai.


