Sporti

Është veç 17 vjeçar, por po shkëlqen sa herë po luan tek Prishtina, Demolli: Do ta shfrytëzojë çdo minut, nder të luajë tek klubi më i madh në vend

11/06/2023 13:46
nga:Lorik J

Skuadra e Prishtinës dje ka barazuar ndaj Llapit me rezultatin 2-2 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet, në kuadër të xhiros së 13’të të Superligës së Kosovës. Lojtari që la mbresa në këtë duel ishte padyshim Amar Demolli, 17 vjeçari që u aktivizua në pjesën e dytë të sfidës.

Demolli, talenti i ri i Prishtinës u aktivizua në pjesën e dytë dhe tregoi cilësi në fushë, duke ndihmuar skuadrën në barazimin e rezultatit. Ai asistoi në golin e dytë të kryeqytetasve – të cilin e realizoi Blesa.

17 vjeçari, Amar Demolli thotë se është tejet i lumtur me besimin që po merr tek skuadra e Prishtinës, teksa asistimi e bëri të ndihet mirë. Ai premton se do jap maksimumin në çdo minut që merr nga trajneri Egbo.

“Është përgjegjësi dhe obligim që çdo hapësirë që më jepet nga stafi në lojë është që të jap maksimumin e mundshëm që klubi të ketë sukses, sa i përket minutave që marrë – mua më mbetet të punojë shumë dhe të shfrytëzojë çdo minut që më jepet në fushë. Dje ishte asistimi im i parë dhe u ndjeva shumë mirë, dëshira ime është që gjithmonë të jem krah dhe mbeshtetje e klubit”, tha fillimisht Demolli për ‘GazetaBlic Sport’

“Minutazhën që jam duke e fituar gradualisht është në favorin tim, që më bën të blejë kohë dhe të akomodohem me klubin dhe më bën të jem më i sigurt në hapat e mi”, vazhdoi ai.

Në fund Demolli potencoi se për të është nder që luan tek klubi më i madh në vend, teksa falënderoi të gjithë për mbështetjen e madhe që po ia japin në çdo moment.

“Është nder dhe privilegj të jem pjesë e klubit më të madh në vend, dua t’i falënderoj stafin për çdo mundësi dhe besim që kanë ndaj meje. Klubi, stafi teknik dhe bashkëlojtarët më ndihmojnë shumë si lojtar i ri në moshë, poashtu edhe çdo tifoz që po më bën të ndihem mirë dhe i motivuar që të jap maksimumin”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport