Sporti

“Është më i mirë se unë”, Gerrard lartëson talentin e kombëtares

03/27/2023 10:57
nga:Lorik J

Jude Bellingham është padyshim një nga talentët më të mëdhenj anglez në vitet e fundit. Mesfushori që aktivizohet tek Borussia Dortmund në Gjermani pritet që në merkaton e ardhshme të bëjë hapin e madh, edhe pse bëhet fjalë për vetëm një 19-vjeçar. Ndërkohë, Bellingham spikat edhe me kombëtaren e Anglisë e së fundmi pas triumfit të “Tre Luanëve” ndaj Ukrainës për Euro 2024, mesfushori fitoi elozhet e një legjende si Steven Gerrard.

Ky i fundit theksoi se Bellingham është më i mirë edhe se vetë ai kur ishte në moshën 19-vjeçare me Gerrard që thekson se arriti pjekurinë vetëm kur ishte në moshën 22 apo 23-vjeçare.

“E sigurt është se Bellingham ka një fizik më të mirë se unë kur isha 19-vjeç. Nuk e kam pasur kurrë këtë fuqi në atë moshë dhe vetëm 22 apo 23-vjeç u rrita fizikisht. Aty u zhvillova dhe arrita pjekurinë. Nga ana tjetër, Bellingham është më mirë edhe në kontrollin e topit. Nuk po tregohem modest, por e kam me të vërtetë. Ai është më i mirë se Gerrard 19-vjeçar. I duhet vetëm të vazhdojë me këto performanca dhe mund të arrijë shumë”, u shpreh Gerrard.