Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se sistemi perëndimor i sigurisë është duke u shembur.
“Sistemi i krijuar nga Perëndimi për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin e tij është në kolaps,” tha Erdogan në Kongresin e partisë së tij në pushtet, AKP.
Ai shtoi se vendet perëndimore kanë filluar të reagojnë pozitivisht ndaj idesë së paraqitur nga Ankaraja për nevojën për të reformuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Erdogan deklaroi gjithashtu se në Evropë ka panik për shkak të konfliktit në Ukrainë.
“Ndërsa vendi ynë ka 11 vjet që po përballet me sukses me migrimin e paligjshëm për shkak të Sirisë, ne po vërejmë panik në Evropë për shkak të krizës ruso-ukrainase. Ne lutemi që bota të dalë sa më shpejtë nga periudha kritike që po”, tha Erdogan.
Kreu turk kujtoi edhe qëndrimin e Turqisë për hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
“Derisa të përmbushen pritjet tona, ne nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë për zgjerimin e NATO-s”, tha presidenti turk.
Për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, më 18 maj Finlanda dhe Suedia i paraqitën një kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për anëtarësim në Aleancë.
Turqia ka bllokuar fillimin e procesit të shqyrtimit të këtyre aplikacioneve.
Presidenti Erdogan tha se Ankaraja nuk mund t’i thotë “po” anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, sepse nuk mund t’u besonte garancive të tyre për marrëdhëniet me përfaqësuesit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është e ndaluar në Turqi.
Autoritetet turke kanë shumë vite që mbrojnë në mënyrë aktive reformën e sistemit të OKB-së dhe së fundmi këto thirrje janë bërë më të shpeshta për shkak të situatës në Ukrainë.
Në tetor të vitit 2021, presidenti turk tha se fati i njerëzimit nuk duhet të lihet në mëshirën e fituesve në Luftën e Dytë Botërore.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u përgjigj se ishte dakord që pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk kanë të drejtë të diktojnë fatin e botës, por se ata as nuk pretendojnë ta bëjnë këtë.


