Sporti

Enis Bardhi flet për të ardhmen e tij: “Jam i koncentruar me Levanten, derisa agjentët nuk sjellin diçka tjetër”

01/21/2022 20:49
nga:E K

Enis Bardhi është padyshim një nga futbollistët shqiptarë më në formë të momentit.

Shqiptari që përfaqëson, Maqedoninë Veriore, luan rregullisht në formacionin bazë të Levantes në një nga top 5 ligat më të forta evropiane, shkruan GazetaBlic Sport.

Mesfushori 26 vjeçar me tipare sulmuese po kalon në një formë jashtëzakonisht të mirë duke qenë njëri nga lojtarët që kanë kontribuar më së shumti në skuadrën e Levantes.

Mesfushori shqiptar në këtë edicion në La Liga ka arritur të tund 3 herë portën e kundërshtarëve dhe të asistoi 2 herë për bashkëlojtarët e tij.

Në intervistën e dhënë për GazetaBlic Sport, Enis Bardhi është ndalur të flasë në hollësi për karrierën e tij me Levanten skuadër me të cilën ka kontratë deri në qershor të vitit 2022.

Bardhi zbuloi se është i koncentruar në ndeshjet me Levanten, kurse për ofertat e klubeve të tjera ai u shpreh se janë çështje të agjentit të tij.

“Puna ime lidhet me terrenin dhe jam i koncentruar maksimalisht në seancat stërvitore dhe ndeshjet që na presin. Gjërat tjera nuk më takojnë mua dhe për këtë janë përgjegjës stafi profesional. Natyrisht kërkojmë gjithmonë më të mirën dhe në futboll ndodhin edhe të papritura. Unë jam i koncentruar për ndeshjet e pranverës me Levanten, gjithnjë nëse klubi dhe agjentët nuk sjellin diçka tjetër”, tha fillimisht Enis Bardhi.

Të luash në një nga top 5 ligat më të forta evropiane, padyshim që është mjaftë e vështirë, por edhe një eksperiencë e veçantë, ai deklaroi se aktivizimi i tij në La Liga e ka rritur si profesionist, dhe është shprehur i lumtur që ka pasur rastin të luajë kundër disa lojtarëve si Messi dhe Ronaldo.

“Të luash në La Liga në fakt është një përjetim i veçantë, duke ditur numrin e ekipeve me emër që kanë peshë të madhe jo vetëm në Spanjë, por edhe në futbollin Europian. Barcelona e Real Madridi dhe Messi e Ronaldo kanë shkruar pjesë të rëndësishme të historisë dhe duke garuar me ta ka qenë një privilegj i madh për mua, pa harruar skuadra si Atletico Madrid, Valencia, Athetic Bilbao, Sevilla, Villarreal e të tjera. Por i numërova këto që kanë lënë gjurmë edhe në Kupat e Europës. Natyrisht krahas kënaqësisë, mendoj se nuk është aspak e lehtë të jesh konkurrent në këto nivele dhe fakti që kaq vite kam ecur mirë më bën të ndjej kënaqësi për punën që kam bërë“, shtoi ai.

La Liga nuk është i vetmi kompeticion i madh në të cilin ka marrë pjesë lojtari i shquar shqiptar, Enis Bardhi. Bardhi ka arritur suksese të mëdha edhe me Maqedoninë e Veriut me të cilën u kualifikua për EURO 2020, e që për të është e arritura më e madhe e vitit 2021.

“Padyshim pjesëmarrja në Kampionatin Europian “EURO 2020” që shkaku i koronavirusit u shty dhe u luajt në verën e vitit 2021. Pastaj fitorja 2:1 në Duisburg ndaj Gjermanisë bëri jehonë të madhe gjithandej, duke ditur se gjermanët nuk kishin humbur mbi 20 vite një ndeshje kualifikuese si vendas. Ndërkohë viti i bukur me ekipin përfaqësues u mbyll edhe me vendin e dytë në eliminatoret për Kampionatin Botëror dhe sigurimin e një vendi për në play off për kualifikim në Kupën e Botës”.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut luan ndeshjen e playoffit pë kualifikim në Kupën e Botës ‘Katar 2022‘ ndaj kampionit në fuqi evropian, Italisë.

/GazetaBlic Sport/