Lajme

Energji, siguri dhe ekonomi: Çfarë thuhet në komunikatën SHBA-Greqi për gazsjellësin që e refuzoi Kosova?

10/23/2021 20:28
nga:M K

Kosova edhe zyrtarisht ditë më parë ka refuzuar projektin amerikan për gazsjellësin që do të përfshinte edhe Kosovën nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, një projekt 200 milionësh. Kjo u bë e ditur edhe zyrtarisht nga qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës tentoi të arsyetohej, pas disa javësh që tentoi të shtynte zyrtarizimin e refuzimit të këtij projekti për të cilin thanë se është investim me risk dhe që nuk i përshtatet Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme, në një komunikatë të përbashkët pas bisedimeve Greqi – SHBA flitej edhe për energjinë dhe gazsjellësin amerikan. Në seksionin ku flitej për këtë pjesë thuhej se SHBA-të përgëzuan Greqinë për rolin e saj si qendër energjetike rajonale dhe për përfundimin e Gazsjellësit Trans-Adriatik dhe për përparimin në Interconnector Greece – Bulgaria.

Në këtë komunikatë thuhet se palët kanë festuar për marrëdhëniet gjithnjë e më të afërta në fushën e energjisë, tregtisë dhe investimeve dypalëshe si një shtytës pozitiv drejt synimeve të sigurisë energjetike dhe diversifikimit, duke i dhënë kështu rëndësi të madhe në aspektin e sigurisë gazsjellësit amerikan.

“Shtetet e Bashkuara dhe Greqia u angazhuan për qëllimet e tyre të përbashkëta për rritjen e diversifikimit dhe sigurisë së energjisë, promovimin e aksesit të drejtë dhe të barabartë në burimet e gjelbra të energjisë dhe adresimin e ndryshimeve klimatike përmes politikave të dekarbonizimit. Shtetet e Bashkuara përgëzuan Greqinë për rolin e saj në rritje si një qendër energjetike rajonale dhe përshëndetën përfundimin e Gazsjellësit Trans-Adriatik dhe përparimin në ‘Interconnector Greece-Bulgaria’, i cili do të operacionalizohet në vitin 2022. Greqia ndau zhvillimet në projektet e tjera energjetike rajonale që do të diversifikojnë më tej furnizimet rajonale të energjisë dhe largimin e qymyrit, siç është Interkonektori i planifikuar midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Njësia e Rigazifikimit të Magazinimit Lundrues në Akelsandropoli. Të dyja palët përshëndetën marrëdhinet gjithnjë e më të ndërlidhura të energjisë midis Greqisë dhe SHBA-ve, si në aspektin e tregtisë dhe investimeve dypalëshe, ashtu si dhe shtytjen pozitive të përparimit drejt synimeve të sigurisë energjetike dhe diversifikimit. Greqia vuri në dukje rëndësinë e zbulimeve të gazit natyror nga Izraeli, Qipro dhe Egjipti si një burim i vlefshëm i diversifikuar energjie për Evropën Jugore dhe Juglindore”, thuhet në komunikatë, transmeton lajmi.net.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se SHBA-të do të rrisin investimet e tyre në projektet e energjisë në Greqi dhe theksuan nevojën për dekarbonizimin e vazhdueshëm dhe zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme.

“Greqia përsëriti qëllimin e saj për të hequr qafe linjitin deri në vitin 2025, dhe Shtetet e Bashkuara vlerësuan hapat e Greqisë në Planin Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën 2019. Të dyja palët pranuan rëndësinë e një strategjie të larmishme për të mbështetur tranzicionin e energjisë dhe qëllimin tonë më të gjerë për të arritur emetimet neto-zero deri në vitin 2050. Kjo përfshin mundësitë për të zgjeruar iniciativat e efikasitetit të energjisë dhe për të rritur furnizimin me burime të energjisë së pastër si era në det të hapur, ruajtja e energjisë dhe hidrogjeni. Shtetet e Bashkuara ritheksuan rritjen e investimeve në projektet e energjisë së gjelbër në Greqi dhe theksuan nevojën për dekarbonizimin e vazhdueshëm dhe zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, dhe Greqia ndau përditësimë për projektet e saj të planifikuara për fermat e erës dhe energjinë diellore. Shtetet e Bashkuara konfirmuan mbështetjen për Iniciativën Kombëtare të Greqisë për trajtimin e ndikimeve dhe ndryshimeve klimatike në trashëgiminë kulturore dhe natyrore dhe mirëpritën pjesëmarrjen e kompanive amerikane në nismat inovative të energjisë së hidrogjenit të Greqisë. Të dyja qeveritë nënvizuan rolin unik që Greqia mund të luajë në thyerjen e monopoleve rajonale të energjisë, lehtësimin e investimeve në energji tek ekonomitë në zhvillim dhe përballjen ballë për ballë me krizën globale të klimës”, thuhet më tutje në komunikatë.

Qeveria për disa javë pas raportimeve në media mohoi të ketë refuzuar gazsjellësin amerikan. Mirëpo, ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në një konferencë për media konfirmoi se Kosova ka refuzuar këtë projekt, duke thënë se fondet do të shfrytëzohen për investime të tjera.

“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, ka thënë ajo të enjten në një konferencë për media.

Qeveria e Kosovës është kritikuar ashpër nga njohës të ekonomisë e energjisë, madje edhe njohës të politikës e sigurisë për refuzimin e këtij projekti. Ata e kanë konsideruar të rëndësishëm gazsjellësin amerikan jo vetëm në aspektin energjetik e ekonomik, por edhe në aspektin gjeopolitik e të sigurisë.

Administrata e Presidentit Biden më 2021 kishte futur edhe Kosovën në buxhetin e agjensionit federal MCC, ku ishte paraparë që Kosova të përfiton 200 milion dollarë të pakthyeshme për të ndërtuar gaz-përquesin në drejtim të Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, ku pastaj do të lidhej më rrjetin TAP (Trans-Adriatic Pipeline) apo me burime tjera.

Ndryshe, në këtë komunikatë SHBA-Greqi gjithashtu është folur edhe për Kosovën dhe të dy palët janë pajtuar se mbështesin integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara dhe Greqia vazhdojnë të mbështesin fuqishëm integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, dhe theksojnë rëndësinë e fillimit urgjent të negociatave të anëtarësimit midis BE-së dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sipas kushteve të përcaktuara”, thuhet në deklaratë.

“Të dyja palët theksuan sukseset e fundit në politikat kombëtare të shëndetit publik të krijuara për të frenuar pandeminë COVID-19 dhe përmendën nevojën për të shpërndarë dezinformimin dhe ndikimet e tjera malinje që kërcënonin sigurinë publike. Të dy palët diskutuan përparësitë në përgjigjen ndaj krizës humanitare në Afganistan. Greqia ndau progresin e bërë në integrimin e azilkërkuesve dhe refugjatëve; të dy vendet pohuan rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut të azilkërkuesve, emigrantëve dhe refugjatëve”, shtohet në deklaratë.

Në anën tjetër, bota kohëve të fundit është futur në krizë të energjisë, krizë kjo ndaj së cilës nuk është imune as Kosova. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk ka mohuar mundësinë e shtrenjtimit të faturave të rrymës gjatë vitit të ardhshëm dhe ka bërë thirrje që këtë dimër qytetarët të mos ngrohen me rrymë.