Sporti

Elsa Uka shkëlqen me Kosovën U16 në turneun zhvillimor të UEFA-s: Nuk ka krenari më të madhe sesa të përfaqësosh shtetin tënd

05/14/2026 17:41
nga:L J

Futbollistja e re kosovare, Elsa Uka, ishte një nga emrat që spikati në turneun zhvillimor të UEFA-s për vajzat U16, ku Kombëtarja e Kosovës arriti sukses të madh duke triumfuar në këtë garë.

Kosova fitoi tri duelet e luajtura ndaj Maqedonisë, San Marinos dhe Andorrës.

Talentja 15-vjeçare jo vetëm që ishte pjesë e rëndësishme e ekipit, por arriti edhe të gjejë rrugën e golit ndaj San Marinos.

“Të fitosh në një turne me Kombëtaren, çka të them… nuk ka fjalë që e përshkruan këtë ndjenjë. Por kur je edhe pjesë e ekipit dhe shënon gol, është diçka shumë e veçantë”, tha Elsa Uka për ‘GazetaBlic Sport’.

Ajo tregoi edhe lidhjen e fortë me Kosovën, pavarësisht se është lindur dhe rritur në Suedi.

“Nuk ka krenari më të madhe sesa të përfaqësosh shtetin tënd. Edhe pse jam lindur dhe rritur në Suedi, falë prindërve që shpesh vizitojmë Kosovën dhe na kanë treguar për të kaluarën e kombit tonë, jemi shumë të lidhur me vendlindjen e tyre. E konsideroj veten sikur jam lindur dhe rritur në Kosovë”, vazhdoi Uka.

Në fund, talentja foli edhe për ëndrrat dhe objektivat e saj në futboll.

“Si çdo lojtare e re që ka ambicie, edhe unë kam ëndrrat e mia. Shpresoj ta ndjek rrugën e Kosovare Asllanit, që në të ardhmen të jem arsye krenarie për familjen, klubin ku luaj dhe padyshim për shtetin e Kosovës që përfaqësoj”, përfundoi ajo.

Elsa Uka, aktivizohet te klubi suedez Jonkoping. Gjatë vitit 2025 ajo luajti me ekipin F19 dhe zhvilloi disa ndeshje edhe me ekipin e parë, ndërsa këtë vit firmosi kontratën me skuadrën seniore, duke u bërë lojtarja më e re e vajzave që arrin këtë hap te klubi suedez. Deri më tani, ajo ka zhvilluar tri paraqitje në ligën suedeze me ekipin e parë, ndërsa Jonkoping aktualisht mban vendin e parë në kampionat.

/GazetaBlic Sport