Valmir Elezi, Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka theksuar se janë në fazën përgatitore të procesit zgjedhor dhe duke trajtuar sfidat me të cilat u përballën në zgjedhjet e kaluara, për t’i eliminuar ato.
Elezi për GazetaBlic theksoi se menjëherë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapat ligjorë për përgatitjen e procesit zgjedhor dhe se ka miratuar planin, në të cilin përfshihen të gjithë hapat deri në shpalljen e rezultateve preliminare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përgatitore të procesit zgjedhor dhe aktualisht është duke i trajtuar edhe sfidat me të cilat është ballafaquar në zgjedhjet e fundit. Në këtë drejtim, është duke u punuar në përgatitjen e platformës elektronike për transmetimin e rezultateve preliminare pas numërimit të fletëvtotimeve në vendvotime, e cila do të sherbejë edhe për futjen e të dhënave nga numërimi i fletëvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit. Janë duke u bërë përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe të subjekteve politike që janë në garë për Kuvende Komunale”, ka deklaruar Elezi.
Ai gjithashtu ka theksuar se e gjithë puna e KQZ-se për momentin është përqëndruar në organizimin e Zgjedhjeve Lokale, të cilat përfshijnë dy lloje të zgjedhjeve: për Kryetarët e Komunave dhe për Kuvendet Komunale, pasi që si process kërkon angazhim të madh.
“Ky është një proces i komplikuar dhe kërkon një angazhim të madh nga ana e KQZ-së, pasi menaxhimi i zgjedhjeve lokale kërkon shumë koordinim dhe mbikëqyrje për të siguruar që gjithçka të shkojë sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara”, përfundoi Elezi.
/GazetaBlic/


