Lajme

Eksperti i armëve: Bota do shkatërrohej nëse do kishte luftë bërthamore

03/04/2022 18:38
nga:Gazeta Blic

Eksperti i sigurisë dhe i armëve, Fadil Kajtazi, ka folur rreth kapaciteteve bërthamore që ka Rusia dhe kërcënimeve që bota po merr nga situata e krijuar në Ukrainë pas pushtimit rus.

Ai tha se Rusia ka afro gjashtë mijë armë bërthamore, ku sipas tij, 1 mijë e 459 janë aktive që mund t’i përdorë.

“Ato janë të vendosura në makineri transportuese, anije dhe nëndetëse. Është një arsenal kolosal, duke pasur parasysh bombat që janë hedhur në Hiroshima dhe Nagasaki, ku kanë pasur saktësinë prej 15 kilo-tonëve, atëherë krahasuar me sasinë që mund të bartë një raketë balistike që është deri në 1 mijë kilo-tonë”.

“E për më tepër, ato kanë mundësi që para rënies në objektiv të shpërndahen në disa koka, në një regjion më të madh. Pra, bëhet fjalë për një potencial të madh shkatërrues”, është shprehur Kajtazi në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Më tej, ai ka shpjeguar edhe efektet që një shpërthim bërthamor mund t’i ketë, teksa tha se sulmi i mbrëmshëm rus në një prej termocentraleve më të mëdha në Evropë, që ndodhet në Ukrainë, është bërë me urdhër të Putinit.

“Shpërthimi bërthamor është i fuqishëm, që përbehet prej tre efekteve. Efekti i parë është goditës, që përmban sasi prej 50% të efektit. Efekti i dytë është ai termik dhe i treti është radioaktiv”.

“Kjo është aventura e Putinit. Ai e ka ditur mirë ku është centrali bërthamor. Sulmi nuk ka qenë i orientuar pa dijen e tij, por kjo ka qenë një kërcënim për Evropën, se ai është i gatshëm të shkojë deri në fund dhe nuk kthehet nga kjo fushatë pa ndonjë trofe”, është shprehur Kajtazi.

Sipas Kajtazit, nëse bota përballet me luftë bërthamore, atëherë ajo do të shkatërrohej dhe jeta në tokë do të vështirësohej.

“Nuk mund të ketë fitues nëse ka luftë bërthamore. Bota do të shkatërrohej. Arsenali është aq i shumtë saqë atmosfera e tokës do të mbështillet me rezultat radioaktiv, do të ketë mungesë drite, do të ketë shira radioaktive, do të ketë kontaminim të ujit, ushqimit dhe raca njerëzore dhe bota bimore dhe shtazore do të cenohet në masën më të madhe”, ka thënë ai