Lajme

Ekspertët komentojnë arsyet e kontrollit në Mar-a-Lago

09/01/2022 16:30
nga:G B

Ekspertët e shohin si një zhvillim të rëndësishëm deklaratën e Departamentit të Drejtësisë në mbrëmjen e së martës, ku thekohet se kontrolli i FBI-së në rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Florida, u krye pasi dyshohej se dokumente sekrete të qeverisë amerikane ishin “fshehur dhe hequr” për të penguar hetimin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, njofton.

Një fotografi e publikuar bashkë me një dosje të Departamentit të Drejtësisë tregon dokumente të klasifikuara të shpërndara në dyshemenë e një zyre në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago, ku shihet qartë se për çfarë dokumente të rëndësishme, të klasifikuara si “tepër sekret” bëhet fjalë, thotë një eksperte për Zërin e Amerikës.

“Dokumentet që shihen në fotografi, duken qartë se janë të etiketuara me shkronja portokalli se janë informacione sekrete. Ish presidenti ka argumentuar, ose sugjeruar se ai i kishte deklasifikuar ato. Por ato nuk kanë shenjën e deklasifikimit. Dhe sigurisht pa atë shenjë, pa atë dallim, i gjithë argumenti nuk është bindës, pasi njerëzit duhet të dine çfarë është sekrete dhe çfarë jo”, thotë Kimberly Wehle, profesore e drejtësisë në Universitetin Amerikan.

Kontrolli i paparalajmëruar i FBI-së më 8 gusht në Mar-a-Lago erdhi pasi një nga avokatët e zotit Trump kishte njoftuar autoritetet në qershor, se të gjitha dokumentet e klasifikuara ishin kthyer. Departamenti i Drejtësisë tha se avokati i Trumpit, që kishte bërë këtë pohim, “nuk i kishte lejuar zyrtarët në qershor që të hapnin, ose të shikonin, se çfarë përmbanin kutitë që mbetën në Mar-a-Lago, duke mos i dhënë asnjë mundësi qeverisë të konfirmonte nëse kishin mbetur dokumente të tjera me shenjën “sekret” në banesë”.

Një tjetër ekspert shpjegon përse ky mund të jetë një problem i madh për Trumpin dhe avokatët e tij.

“Ajo që e rëndon situatën më tej dhe që për mendimin tim mund të rezultojë në ngritjen e një aktakuze, ishte kundërshtimi, fshehja dhe pengimi i autoriteteve. Shpërndarja e dokumentave në të gjithë Mar-a-Lagon, njoftimi zyrtar tek FBI-ja në qershor se nuk kishte dokumenta të tjera dhe fakti që FBI-ja arriti të identifikojë me prova se kishte më shumë dokumenta dhe se ekipi i Trumpit po i fshihte ato, e rëndojnë situatën”.

Zoti Moss i tha Zërit të Amerikës se ai beson se zoti Trump mund të përballet me akuza penale për dokumentat, por ai nuk mendon se një aktakuzë është e pashmangshme.

“Aktakuza nuk ngrihet nëse nuk ke një çështje të fortë dhe nuk i ke të gjitha provat. Nuk mendoj se janë ende në atë pikë, por besoj se do të jenë brenda pak muajsh”.

Departamenti i Drejtësisë ka të ngjarë të marrë në konsideratë implikimet politike të ngritjes së akuzave ndaj një ish-presidenti, por nga ana tjetër ka shqetësime të sigurisë kombëtare, thotë ekspertja Wehle.

“Gjëja më e rëndësishme përpara FBI-së dhe me sa duket CIA-s dhe pjesëve të tjera të aparatit të sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara është, ‘sa të kompromentuar jemi? Sa serioze është kjo shkelje? A ka hequr Donald Trumpi dokumente nga Mar-a-Lago? A ka dokumente shtesë për të cilat nuk i dimë, që ai ende i ka?’ Dhe pyetja e madhe: A u mundësoi ai qasje kundërshtarëve tanë të huaj?”

Ish presidenti ka mohuar të ketë bërë shkelje, por nuk ka shpjeguar përse mori kaq shumë dokumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë. Në postimet në rrjetet sociale, ai ka sulmuar Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në, duke thënë pa asnjë provë se kontrolli në shtëpinë e tij ishte i motivuar politikisht.

Presidenti Joe Biden i ka dënuar sulmet që disa republikanë kanë bërë FBI-së, duke thënë se ata janë agjentë të zbatimit të ligjit, jetët e të cilëve po rrezikohen thjesht sepse po bëjnë punën e tyre. Presidenti Biden ka thënë gjithashtu se do t’ia lërë hetimin e dokumenteve të Trumpit tërësisht në dorë të Departamentit të Drejtësisë. (Voa)