Sporti

Ekskluzive | Majanci i reagon Haxhi Krasniqit: Të bardhës të zezë nuk i them, s’kam pasur tendenca në komentim!

08/07/2023 18:39
nga:E K

Fitorja e Haxhi Krasniqit ndaj Mohammed në stadiumi “Fadil Vokrri” u komentua shumë për mënyrën e vendimit të gjyqtarit, Ajet Rrecaj i cili diskualifikoi kundërshtarin e Krasniqit.

Boksieri shqiptar, Haxhi Krasniqi në reagimin e tij në Facebook kritikoi mënyrën e komentimit të legjendës së boksit kosovar, Afrim Majanci. Krasniqi e cilësoi komentimin e Majancit si skandaloz dhe tendencioz.

“Komentimi i analistit të quajtur Afrim Majanci i cili është një ish-boksier amator i njohur në Kosovë, ishte jo vetëm skandaloz por edhe tendencioz, ndërkaq komentet e tij ndikonin edhe në komentimin e kolegut të tij, i cili siç dukej pak kishte lidhje me boksin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Afrim Majanci në një intervistë ekskluzive për “GazetaBlic Sport” ka reaguar për komentimin e Haxhi Krasniqit duke thënë se komentimi i duelit të Krasniqit nuk ka pasur asnjë tendencë negative, duke potencuar se: “të bardhës të zezë nuk mund t’i thotë”.

“Nuk kam pasur asnjë tendencë, nuk kam asgjë kundër tij, përkundrazi e kam çmuar dhe e kam respektuar si boksier dhe vazhdoj ta bëjë këtë. Unë atë natë e kam komentuar vetëm atë që e kam parë. Nuk mundem me i thanë të bardhës të zezë. Qefi është tjetër dhe realiteti është tjetër”, tha Majanci për GazetaBlic Sport.