Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me vonesat në fillimin e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Miftaraj tha se një ndër arsyet pse ka patur vonesa në fillimin e procesit gjyqësor është se kjo gjykatë është themelu mbi dyshimet për trafikimin organesh dhe të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” nga raporti i Dick Marty.
Ai tha se kjo aktakuzë nuk ka mundur të mbështet në prova dhe prokuroria ka kalu tashmë me një strategji tjetër.
“Procesi në Hagë është një proces që ka filluar 10 vite më herët në kuptim të asaj që pas marrëveshjes së Brukselit ishte themeluar një task-forcë pë hetimin e dyshimeve apo raportimeve të senatorit Dick Marty të cilat kanë kulmuar me miratimin e Ligjit mbi Dhomat e Specializuara . Pas miratimit të këtij Ligji dhe funksionalizimit të Gjykatës mund të themi pas hetimeve me shumë se 12 vjeçare filloi procesi gjyqësor. Pa dyshim që Tribunale të tjera që lidhen me krimet e luftës nuk kanë patur një praktikë të tillë dhe kjo në njëfarë mënyrë është si një precedent i ri dhe praktikë e re e cila zhvillohet për herë të parë në Gjykatën Speciale e cila ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Një ndër arsyet që kemi patur vonesa kaq të mëdha niset për faktin se nëse marrim e lexojmë se për çka është themelu Gjykata Speciale nese lexojmë raportin e Dick Martit një ndër dyshimet bazë për të cilat ishte themelu kjo gjykatë ishte fakti i dyshimeve në lidhje me ‘Shtëpinë e Verdhë’ dhe me veprën penale që në atë kohë kishte bërë bujë që ishte trafikimi i organeve ku ishte permendur që kemi patur një veprimtari kriminale që i kalu kufijtë e Kosovës dhe Shqipërisë me karakter ndërkombëtar. Baza e aktakuzës nuk ka mundur të mbështetet me prova nga ana e Prokurorisë si duket prokuroria ka kalu tashmë në një fazë tjetër me një strategji tjetër e cila lidhet kryesisht me dy vepra penale kryesore , ‘Bashkimi i përbashkët kriminal’ dhe për ta lidhur zingjirin komandues të UÇK-së me të gjithë ushtarët që kanë qenë në terren” tha Miftaraj për “Gazeta Blic”
Drejtori i IKD-së tha se Republika e Kosovës për më shumë se 23 vite pas luftës ka dështuar t’i hetojë dhe gjykojë krimet e luftës.
“Nëse marrim për bazë elaburimin që e pat në fjalën hyrëse të Prokurorisë dhe të mbrojtes mund të shohim që strategjia e Prokurorisë do të jetë kryesisht që përmes dëshmitarëve dhe viktimave të krimit në dy vitet e ardhshme do të shohim çdo ditë kur viktimat, dëshmitarët tregojnë dhe dëshmojnë sesi kanë qenë subjekt i veprave penale. Nga ana tjeter mbrojtja do të mundohet të argumentojë se të gjitha krimet që kanë ndodhur në atë kohë në Kosovë mund të jenë kryer edhe nga ushtarë të UÇK sikurse kanë mundur të kryhen edhe nga aparati shtetëror serb apo për çështje të gjakmarrjes. Na pret një maratonë e shqyrtimit gjyqësor. E keqja e tërë këtij procesi është që fatkeqësisht Republika e Kosovës për më shumë se 23 vite pas luftës ka dështuar t’i hetojë dhe gjykojë krimet e luftës, ka dështuar të ndërtojë një sistem të drejtësisë i cili do t’i hetonte, ndjekte dhe gjykonte mbi 12 mijë rastet ku qytetarët shqiptarë kanë qenë viktima te krimeve të luftës nga aparati shtetëror serb, dhe tashmë kemi ardhur në një situatë që ne vitin 3023 do të shohim çdo ditë gjykimet e krimeve të luftës që dyshohet se janë kryer nga UÇK-ja” deklaroi Miftaraj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”


