Lajme

Ahmeti: DKA-të të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që ndërlidhen me ngacmimet në shkolla

04/29/2024 16:32
nga:N K

Ngacmimet seksuale në Kosovë janë bërë shumë të shpeshta.

Në lidhje me rastet e fundit të raportimeve për ngacmime seksuale, nëpër institucionet arsimore në Kosovë, për GazetaBlic ka folur drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti.

Sipas tij, ka manipulime në kuadër të besimit të fëmijëve për raportim të ngacmimeve seksuale që ndodhin nëpër shkollat e Kosovës, dhe fshirje të ankesave në kërkesat e tyre.

“Në një raport hulumtues të organizatës ETEA, mbi 70% e fëmijëve thonë se nuk i raportojnë ngacmimet dhe shkeljet që u bëhen, pasi nuk ndihen të sigurt dhe nuk kanë besim në trajtimin e ankesave dhe raporteve të tyre. Kjo u dëshmua edhe nga raportet mediatike ku në një shkollë në Kosovë, drejtoresha e shkollës fillore “Ekrem Rexha”, në fshatin Lubizhdë të qytetit të Prizrenit, e cila i tregoi gazetares se ankesat që ndërlidhen me ngacmimet seksuale i ka zhdukur nga kutia e ankesave”, u shpreh Ahmeti.

Sa i përket sigurisë nëpër shkolla, ai ka potencuar se fenomeni bullizëm është në rrezikshmëri shumë të lartë për sigurinë e fëmijëve në institucionet arsimore në shtetin e Kosovës.

“Shkollat në Kosovë, fatkeqësisht vazhdojnë të mos jenë hapësira të sigurta dhe miqësore ndaj fëmijëve. Të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare vazhdojnë t’i vënë në pah nivelet të larta të bullizmit në mjediset shkollore dhe shkelje të drejtave dhe lirive të fëmijëve”, tha ai për GazetaBlic.

Ahmeti apelon tek organet kompetente të sektorit të arsimit të ndërmarrin masa për parandalimin e ngacmimeve seksuale, dhe të hyn si lëndë mësimore edukata seksuale për informim rreth kësaj dukurie.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI), dhe institucionet tjera relevante, duke vënë theksin tek Drejtoritë e Arsimit (DKA-të), sidomos pas ngjarjeve të fundit, duhet të ndërmarrin hapa konkretë dhe të menjëhershëm që ndërlidhen me këtë dukuri. Është e rëndësishme që krahas rregulloreve dhe politikave të tjera, të hartohet Politika Shkollore për Parandalimin e Ngacmimeve Seksuale dhe e njëjta të hyjë menjëherë në fuqi për të gjitha institucionet edukativo – arsimore të nivelit parauniversitar në Kosovë. Shoqëria kosovare ka nevojë të njihet më mire me format e ngacmimeve seksuale si dhe procedurat e raportimit të tyre, duke përfshirë sanksionet ndaj ngacmuesve, çka e bënë të domosdoshme futjen si lëndë shkollore obligative edukatën seksuale”, tha tutje ai.

Ahmeti ka folur edhe për rastin e fundit në Universitetin e Prishtinës.

“Kjo u arrit, por fatkeqësisht, e njëjta u shkel nga Këshilli i Etikës me rastin e vendimmarrjes për suspendimin e Xhevat Krasniqit deri në një vendim përfundimtar të sistemit të drejtësisë. Kjo pasi rregullorja në fjalë kërkon vendimmarrje nga Këshilli i Etikës pavarësisht procedurave të institucioneve të tjera. Kjo tregon qartazi që ka mungesë gatishmërie, aftësie dhe guximi për të trajtuar raste të tilla. Organizatat e Shoqërisë Civile, duke vënë theksin tek organizatat që merren me çështje gjinore, janë përpjekur shumë gjatë që Universiteti i Prishtinës ta ketë si dokument zyrtar Rregulloren për Parandalimin e Ngacmimeve Seksuale”, tha ai.

Ahmeti ka theksuar se vrasjet e grave kanë fillim nga zhvillimi i ngacmimet seksuale.

“Sistemi arsimor bartë përgjegjësi për transformimin e mendësisë dhe evoluimin e vetëdijes kolektive. Vrasjet e grave në shoqërinë tonë kanë fillet edhe tek ngacmimet seksuale. Kush toleron ngacmimet seksuale bartë përgjegjësi për vrasjet e grave. Sistemi arsimor dhe të gjithë akterët që kanë kompetencë për vendimmarrje në sektorin e arsimit janë përgjegjës për një situatë të tillë me të cilën po përballet shoqëria kosovare. Kjo e fundit, nisur nga krerët e MASHT-it deri tek edukatorët e nivelit parashkollor që nuk ndërmarrin hapa konkret për të vetëdijesuar nxënësit dhe studentët dhe parandaluar ngacmimet seksuale në mjedise parashkollore, shkollore dhe universitare”, përfundoi ai./Gazeta Blic/

 

“Testi PISA në kundërshtim me atë se çka mësojnë nxënësit në Kosovë”