Lajme

Edhe në Serbi vendet e Quint-it kërkojnë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë

01/14/2022 15:22
nga:Gazeta Blic

Vendet e Quint-it në Serbi kanë ndarë të njëjtën deklaratë si ajo që bënë këto vende në Kosovë lidhur me mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.

Në deklaratë ata thanë se inkurajojnë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në referendum derisa thanë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar referendumin në Kosovë është për keqardhje, njofton Klan Kosova.

“Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE”.

“Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”.

Ambasadorët e këtyre vendeve në Kosovë takuan krerët më të lartë të vendit për të diskutuar për këtë çështje.

Pas takimit, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca dolën me një deklaratë të përbashkët ku thanë se lejimi i referendumit serb në Kosovë është shkelje e ligjeve, Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit.