Lajme

Edhe Kroacia bllokon Finlandën dhe Suedinë?

05/19/2022 10:32
nga:Astrit Gashi

Kyiv Independent, një nga mediat kryesore ukrainase, ka shkruar në llogarinë e saj në Twitter se Kroacia do të bllokojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

“Kroacia do të bllokojë hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Presidenti kroat Zoran Milanoviq tha se do të urdhërojë përfaqësuesin e përhershëm të vendit në NATO që të votojë kundër”, ka shkruar ky medium.

“Anëtarësimi i dy vendeve nordike do të varet nga ndryshimi i ligjit zgjedhor në BiH,” tha Milanoviq, duke shtuar se kroatët në BiH po shkatërrohen si një entitet politik.

Kujtojmë se Finlanda dhe Suedia kanë dorëzuar të mërkurën zyrtarisht kërkesat e tyre për anëtarësim në NATO, por në mbledhjen e parë në kuadër të Aleancës nuk është marrë asnjë vendim lidhur me atë kërkesë, sepse Turqia e ka bllokuar.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar për ditë të tëra se Finlanda dhe Suedia nuk do të marrin miratimin e Turqisë për anëtarësimin në NATO.