Skena jo të hijshme u regjistruan në fund të ndeshjes së Superligës të Zvicrës mes Bazelit dhe Zyrihut, që u zhvillua më 7 maj. Episodi kryesor i asaj skene ishte në minutën e 12-të të kohës shtesë. Kapiteni i Baselit, Taulant Xhaka, u ndëshkua direkt me karton të kuq pasi e goditi me kokë në trup mbrojtësin kundërshtar, Nikola Katiç.
Më vonë, 32-vjeçari shqiptar për këtë veprim mori një dënim të rëndë, duke u pezulluar për tetë ndeshje.
Deri më tani, Xhaka i ka vuajtur katër ndeshje prej këtij pezullimi, ndërsa për incidentin e muajit të shkuar ka folur për herë të parë nga kampi stërvitor i Baselit, që po mbahet në Sifeld të Austrisë.
Xhaka ka pranuar se nuk është dashur të reagojë në atë mënyrë, por shton se humbi kontrollin pasi kundërshtari e ofendoi.
“E humba kontrollin. Kjo gjë nuk duhet të më ndodh mua. Me vjen shumë keq”, tha fillimisht mesfushori shqiptar.
Xhaka ka thënë se ishte provokuar disa herë gjatë ndeshjes nga mbrojtësi Katiç dhe ka arritur të përmbahet deri në momentin kur shpërtheu.
Mesfushori shqiptar ka zbuluar se Katiç e ka fyer edhe familjen e tij, saktësisht gruan dhe fëmijët. Ai thotë se është dashur ta injorojë Katiçin, por nuk mundi.
“Në fillim isha në gjendje ta kontrolloj veten, por pasi mora fillimisht kartonin e verdhë që u shndërrua në të kuq, ai mbuloi gojën me fanellë dhe fyeu gruan dhe fëmijët e mi. Kjo bëri që ta humb kontrollin dhe të reagoj në atë mënyrë. Ajo që dëgjova prej tij në atë ndeshje mund të them se kurrë nuk e kam përjetuar në karrierën time”, u shpreh Xhaka.
Mesfushori, që ka 363 paraqitje për Baselin, është gjithashtu i inatosur që askush publikisht nuk ka pyetur për sjelljen dhe veprimet e mbrojtësit të Zyrihut ndaj tij.
“Provokimet janë pjesë e futbollit, por kur preket familja dhe fëmijët, atëherë kalohet kufiri”, u shpreh Xhaka, i cili pranoi se edhe vetë është provokator gjatë ndeshjeve. “Megjithatë unë kurrë nuk e fyej dikë me familje apo fëmijë”.
Futbollisti më i adhuruar i tifozëve të Baselit nuk e ka ndërmend ta arsyetoj veprimin e tij. Madje, ai thotë se ka pritur dënim edhe më të madh sesa pezullimi prej tetë ndeshjeve.
“Kam pritur pezullim më të madh sepse mendoj se liga veçse më kishte vënë syrin. Pezullimin e kam diskutuar edhe me familjen në shtëpi, ndërsa babai më tha se ka pritur të pezullohem për të paktën 11 ndeshje”, thotë Xhaka.
Futbollisti luftarak është i prekur nga reagimi i djalit të tij trevjeçar kur është kthyer në shtëpi pas ndeshjes me Zyrihut. E ai reagim i të birit nuk i ka pëlqyer aspak.
“Kur shkova në shtëpi ai e imitoi reagimin tim me kokë. E kjo nuk ishte aspak e pëlqyeshme për mua”, deklaroi Xhaka, duke shtuar se e kishte shikuar ndeshjen në televizor me gruan e tij.
32-vjeçari nuk mund ta kuptoj se për çfarë arsye e ka fituar reputacionin e një lojtari të ashpër në kampionatin zviceran. Ai thotë se nuk është i ashpër dhe këtë e dëshmon me fakte.
“Në tërë karrierën time jam ndëshkuar vetëm tri herë direkt me karton të kuq. Sigurisht, jam person emocional, por kurrë nuk do ta lëndoja qëllimisht kundërshtarin për shkak se nuk është e drejtë”.
Lideri i Baselit është i detyruar të mungojë në katër ndeshjet e para të edicionit 2023/24, përpara se të kthehet në fushë. Ai po vazhdon duke e dhënë maksimumin në stërvitje për të qenë sa më i gatshëm për ekipin.
“Për fat të mirë janë edhe ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës. Por, unë do të stërvitem dhe mund ta kem avantazhin që kur të kthehem nga suspendimi të jem edhe më i freskët. Po ashtu, do ta shoh edhe trajnerin e ri se çfarë sistemi të lojës do ta aplikojë”.
Edicionin e shkuar Xhaka regjistroi 36 ndeshje për skuadrën e Baselit në të gjitha garat, ku bëri edhe 6 asistime.


