Jurgen Klopp i ka dërguar një mesazh FA-së pas fitores së Liverpoolit ndaj Chelseat në FA Cup, pasi ai nuk është i kënaqur me numrin e medaljeve që Reds morën pas fitores së tyre në Wembley.
Gjermani përdori 31 lojtarë në kompeticion këtë sezon, ku Takumi Minamino shkëlqeu në raundet e mëparshme, ndërsa Kaide Gordon, Conor Bradley, Max Woltman, James Norris dhe Melkamu Frauendorf ishin vetëm disa nga lojtarët më të rinj që morën minuta, përcjell GazetaBlic Sport.
Sidoqoftë, japonezi Minamino ishte një nga katër lojtarët që nuk ishin në stol në Wembley, së bashku me Harvey Elliott, Alex Oxlade-Chamberlain dhe Fabinhon e dëmtuar, ndërsa Liverpool mundi skuadrën e Thomas Tuchel në penallti.
Minamino, golashënuesi më i mirë në FA Cup, nuk mori medalje pas triumfit dhe për këtë Klopp nuk ishte i lumtur.
“Tani ju mund të dëgjoni publikisht, ne duam më shumë medalje. Nuk mund të besoj që sasia e medaljeve është e kufizuar. Pse do ta bënit këtë? Ne e kuptojmë se duam t’u japim medalje të gjithë lojtarëve, por atëherë trajnerët nuk mund t’i kenë ato, diçka e çuditshme. Të dashur FA, ju lutem dërgoni edhe disa medalje. Skuadra po bëhet më e madhe, por numrat mbeten të njëjtë, kështu që bëjeni këtë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


