Deputeti i LDK, Kujtim Shala, ka qenë kundër shkëmbimit të territorit mes Kosovës e Serbisë.
Shala ka përcjellë te redaksia e Gazeta Blic, një deklaratë të tij të bërë në vitin 2018 në emisionin “Zona e debatit” në Klan Kosova.
Gjatë ditës deputeti nga Levizja Vetvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, ka reaguar pas deklaratës së deputetit Kujtim Shala nga LDK i cili për “Blic Interview”, që transmetohet sonte në RTV Dukagjini, ka theksuar se Kurti u dha autonomi serbëve dhe legalizoi pushtetin e Serbisë në Kosovë.
Agusholli për këtë deklaratë të deputetit Shala, tha se nuk dëshiron të komentoj shumë, ngase sipas tij, “ata që pothuajse e kanë pranuar ndarjen e Kosovës vite më parë”.
Por ja çfarë kishte thënë Shala në vitin 2018.
Lajmi më poshtë është nga Klan Kosova.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe nën kryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, ka thënë se ideja për korrigjim kufijsh me Serbinë është një ide e rrezikshme pasi që nëpërmjet saj zhbëhet shteti i Kosovës.
Ai këto komente i bëri në emisionin Zona e Debatit, duke shtuar se Kosova duhet të fuqizohet në mënyrë që ta kontrollojë territorin e saj dhe për t’u arritur kjo, ai tha se Kosovës i duhet kohë.
“Unë besoj së te gjitha këto janë tema për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Është lojë temash për të mbuluar faktin kryesor dhe procesin kryesor i cili është tepër i rrezikshëm për Kosovën”.
“Ne nuk kemi asgjë për të korrigjuar në kufirin tonë. Çfarë do të korrigjojmë me Serbinë? Së pari duhet të definohet kufiri dhe pastaj të korrigjohet çfarë është gabuar”.
“S’ka objekt për t’u korrigjuar. Ky term mbulon një proces tjetër i cili është tepër i rrezikshëm për Kosovën”.
“Ky është kufiri i vendosur në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe është në përputhje me ligjin ndërkombëtarë. Gjithçka është në rregull”.
“Duhet të bëhesh i fuqishëm që të kontrollosh territorin tënd. Për veriun e Kosovës ka pasur një proces zhvillimi gjatë viteve të fundit. Të gjithë kanë thënë se ka një zhvillim. Pse të mos vazhdojmë në këtë mënyre”.
Shala ka thënë se Kosova nuk guxon të hap debate që e rrezikojnë atë.
“Ndoshta ky problem do të shkoj përtej brezit tonë, por ne duhet të ballafaqohemi. Duhet të vazhdojmë punën”.
“Këto nuk janë probleme të fundit por janë probleme historike. Vetëm pse kemi probleme me Serbinë, kjo nuk do të thotë se ne duhet të zhbëjmë shtetin tonë”.
“Ne duhet të tentojmë që ta forcojmë shtetin tonë. Të kemi politikanë të pastër dhe jo sikur udhëheqësit që i kemi tani. E kemi shembullin e Presidentit Rugova i cili ka pasur një mbështetje të madhe nga populli sepse ka qenë i vërtetë”.
“Logjika e pretendimit të tillë është e njohur të cilën e kam dëgjuar edhe nga autorë tjerë serbë. Logjika është që të japim diçka tonën për të marrë diçka që është e jona”.
“Nëse e hapim këtë çështje me Serbinë atëherë shteti jonë zhbëhet. Kufijtë e Kosovës dhe të gjitha njësive të ish Jugosllavisë janë kufij kadastral”.
“Problemi i veriut rregullohet nëse ne kemi durim. Nëse ne bëjmë punë me sinqeritet dhe në të njëjtën kohë të presim që edhe pala tjetër të bëhet e sinqertë. Kjo mund të marrë shumë kohë. Unë kam frikë që kjo mund ta kapërcej edhe brezin tonë”.


