Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kanë kryer një aksion në rajonin e Prizrenit i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar për falsifikim parash dhe sekuestrimin e rreth 25 mijë eurove false.
Përmes një komunikate për media, PSRK njofton se gjatë aksionit aksioni janë ndaluar dy vetura, BMW X5 dhe Shkoda, me katër (4) persona, për shkak të dyshimit se personat të cilët gjenden në këto vetura shpërndajnë para të falsifikuara. Gjatë kontrollit në veturën BMW X5 është hasur sasia e parave të dyshuara si të falsifikuara në shumën prej njëzet e katërmijë e gjashtëqind (24,600.oo) euro raporton Sinjali.
“Prokuroria Speciale njofton se në këtë rast janë sekuestruar njëzet e katërmijë e gjashtëqind (24,600.oo) euro, dy (2) automjete të përdorura nga personat e dyshuar, si dhe nëntë (9) telefona celularë.
Po ashtu, të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, si dhe të njëjtit janë shtetas të Republikës së Shqipërisë“, thuhet në njoftim.
Me aktvendim të Prokurorit nga Prokuroria Speciale personat e dyshuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.


