Lajme

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës përfundojnë me sukses Internshipin në Universitetin Policor të Brandenburgut

08/09/2026 15:51
nga:L J

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses programin ndërkombëtar të Internshipit dhe shkëmbimit të përvojave policore në Universitetin Policor të Brandenburgut, në Gjermani.

Programi është zhvilluar nga 3 deri më 7 gusht 2026, me pjesëmarrjen e zyrtarëve policorë nga vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, raporton Gazeta Blic.

Gjatë këtij programi, pjesëmarrësit kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme profesionale, përfshirë shkëmbimin e përvojave, ushtrime të përbashkëta taktiko-operative, praktika për arrestime dhe kontrolle të objekteve, si dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Në kuadër të programit janë realizuar edhe vizita në njësi të ndryshme të Policisë Gjermane, përfshirë Policinë Ujore dhe njësitë e specializuara. Po ashtu, pjesëmarrësit kanë vizituar Berlinin dhe Bundestagun Gjerman.

Sipas Policisë së Kosovës, programi ka shërbyer si platformë për bashkëpunim, krahasim të praktikave dhe shkëmbim të standardeve bashkëkohore policore me kolegë nga vende të ndryshme.

Veçanërisht gjatë ushtrimeve praktike për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, qasjet dhe metodat e prezantuara nga Policia e Kosovës janë vlerësuar lartë dhe kanë qenë pjesë e shkëmbimit profesional me pjesëmarrësit ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës vlerëson se pjesëmarrja në këtë program kontribuon në promovimin e profesionalizmit dhe përvojës së saj, si dhe në avancimin e praktikave të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Sipas njoftimit, ky program thekson rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Universitetit Policor të Brandenburgut, përmes programeve të Internshipit, trajnimeve praktike dhe shkëmbimit të përvojave.