Dy shqiptarët e dyshuar për grabitjen e rezidencës së Princit William nesër dalin para gjykatës
Vëmendja e medias britanike të hënën pritet të jetë në Gjykatën e Magjistraturës së Norwich-it, në Anglinë Lindore, ku do të paraqiten sërish dy shqiptarët Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci, nën akuzë për grabitjen e shtëpisë së Princit William.
Dy të rinjtë nga Laçi do të dalin para gjykatës në orën 10:00, në sallën e gjyqit numër 3, ku do të pyeten nga gjykatësi nëse i pranojnë akuzat e ngritura nga prokuroria. Sipas ligjit anglez, grabitja e një rezidence banimi dënohet deri në 14 vite burg, ndërsa pritet që ata të pranojnë fajësinë me shpresën për të përfituar një dënim më të lehtë, vendimi i të cilit do të jepet në javët në vijim.
Sipas raportimeve të mediave britanike, përfshirë tabloidin The Sun, të dy të akuzuarit kishin hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe — me Ndoci-n, 32 vjeç, që raportohet të ketë hyrë një herë me gomone dhe një herë tjetër me avion.
Ata akuzohen se mbrëmjen e 23 nëntorit, duke shfrytëzuar një tub shkarkimi uji, janë futur në katin e parë të Anmer Hall në Norfolk dhe kanë vjedhur gjashtë kapëse këmishësh dhe një orë.




