Lajme

Dugolli viziton Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave: Paralajmëron masa të rrepta ndaj shkaktarëve të zjarreve

08/04/2026 14:00
nga:L J

Zëvendësministri i parë i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka vizituar sot Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), ku është pritur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Shefki Avdullahi, dhe stafi i tij.

Përmes një postimi, Dugolli ka bërë të ditur se aktualisht situata me zjarret në vend është e qetë, por ka theksuar se rritja e temperaturave shton edhe rrezikun për shpërthimin e tyre, raporton Gazeta Blic.

Ai ka kërkuar vigjilencë dhe gatishmëri të shtuar nga ekipet e zjarrfikjes, si dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, veçanërisht me komunat.

Sipas Dugollit, një nga shkaktarët kryesorë të zjarreve mbetet djegia e hamulloreve, të cilën e ka cilësuar si praktikë të papërgjegjshme që rrezikon jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin.

Ai ka njoftuar se inspektorët e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do ta monitorojnë me vëmendje të shtuar këtë fenomen dhe do të ndërmarrin masa të rrepta ndaj personave që shkaktojnë zjarre me dashje ose nga neglizhenca.

Në fund, Dugolli u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, ta ruajnë mjedisin dhe të raportojnë me kohë çdo rast që mund të paraqesë rrezik për shpërthimin apo përhapjen e zjarreve.