Ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj thekson se Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar me vonesë, duke iu referuar takimit të thirrur më 15 maj me liderët e partive politike.
Dreshaj në një deklaratë dhënë për GazetaBlic thekson se, VV’ja ka mbyllur dyert e bashkëpunimit qysh në momentin kur filloi përdorimin e gjuhës linçuese.
“Presidentja si person unifikues, duke parë situatën dhe ngërçin politik në vend, ka reaguar me vonesë. Duke ditur polemikat dhe gjuhën linçuese të përdorur në fushatën elektorale, presidentja është dashur që nga momenti i certifikimit të subjekteve politike të fillojë procesin e konsultimeve”, thotë Dreshaj.
“*Partia fituese VV, që në ditën e parë të kampanjës, kur ka kërkuar mbi 500,000 vota, ka qenë e qartë se nuk ka synim bashkëqeverisjen, ndërsa kulmi ishte tubimi i fundit me ofendime të rënda. Frazat e tilla mbyllin dyert e bashkëpunimit dhe thellojnë dallimet”, shtoi ai.
Tutje, Dreshaj e përshëndet faktin që PDK, LDK e AAK e kanë konfirmuar menjëherë pjesëmarrjen në takim, teksa shtoi se këto parti janë shtetformuese.
“Pas shumë thirrjeve publike që presidentja të involvohet në zgjidhjen e ngërçit në vend, këtë hap të saj e konsideroj me rëndësi. Reagimin dhe gatishmërinë e shprehur nga subjektet politike të ish-opozitës e shoh si veprim të qëlluar”, tha Dreshaj.
“Këto subjekte politike—LDK, PDK, AAK—janë subjekte shtetformuese dhe në çdo fazë të zhvillimeve në vend kanë bartur përgjegjësi për të sotmen, që nga ditët e ilegalës, promovimi i çështjes së Kosovës në rang ndërkombëtar, rezistenca e armatosur e deri te shpallja e pavarësisë së vendit. Kjo dëshmon se opozita nuk është përgjegjëse për ngërçin në vend”, shtoi tutje.
Dreshaj tutje i tha Gazetës Blic se ajo çfarë dihet deri tash, është se nga ky takim do të bëhet e ditur që fajtori për bllokimin e institucioneve është VV’ja.
“Pasi që deri sot ende nuk kemi një qëndrim të qartë për pjesëmarrjen e VV-së, jam skeptik për ecurinë e suksesshme të takimit. Një gjë është e qartë: ky takim do të bëjë publike se bllokuesi për krijimin e institucioneve nuk është ish-opozita, por pozita aktuale. Ky është momenti kur institucioni i presidencës duhet të dëshmojë guximin dhe seriozitetin për krijimin, ruajtjen dhe promovimin e vendit, që Kosova të jetë faktor stabiliteti e jo destabilizues i rajonit”, tha Dreshaj.
“Kosova si faktor destabilizues dhe i paaftë të krijojë institucione funksionale i konvenon vetëm Serbisë dhe argatëve të tyre!”, përfundoi ai.
Ahmeti: Askush në VV nuk ka ndonjë vlerësim të veçantë për Albulena Haxhiun


