Lajme

Dreshaj: Me Ramush Haradinajn president edhe armiqtë e vendit do të ishin më të matur në veprimet e tyre

02/25/2026 10:15
nga:Genita C

Ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se në rrethanat aktuale gjeopolitike, zgjedhja më e mirë për President të Kosovës do të ishte Ramush Haradinaj.

Sipas Dreshajt, Haradinaj si president do t’i sillte vendit më shumë siguri dhe do të shërbente si promotor i stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Në rrethanat aktuale gjeopolitike, zgjedhja më e mirë për Kosovën do të ishte Ramush Haradinaj për president të vendit. Ramushi, si president, do t’i sillte vendit siguri dhe do të ishte promotor i stabilitetit në rajon e më gjerë”, tha Dreshaj.

Ai theksoi se Haradinaj konsiderohet si figurë e besueshme për SHBA-në dhe NATO-n, duke shtuar se me të në krye të shtetit do të rriteshin gjasat për integrimin e Kosovës në NATO.

“Njëkohësisht, Ramush Haradinaj është njeri i besueshëm i SHBA-së dhe NATO-s. Me Ramushin president, gjasat do të ishin reale për integrimin e Kosovës në NATO. Thënë shkurt, Ramush Haradinaj është vetë siguria e vendit”, shton tutje Dreshaj.

“Me Ramushin president, armiqtë e vendit do të jenë shumë më të matur në veprimet në dëm të Kosovës dhe Kosova do të shndërrohet në një vend që prodhon stabilitet në rajon, e jo siç është aktualisht, destabilizues dhe problematik. Unë mendoj se Ramushi është njeriu i duhur për rrethanat aktuale në të cilat gjendemi”, tha Dreshaj për GazetaBlic.