Sporti

Drejtori i Ramiz Sadikut: Nuk e pengojmë askënd për avancim, nëse Prishtina arrin marrëveshje me Alban Dragushën, ne e lirojmë!

03/17/2026 20:53
nga:L J

Afrim Toverlani ka dhënë dorëheqje sot pas humbjes 3-0 nga Ferizaj në Superligën e Kosovës dhe ecurisë negative me ekipin kryeqytetas.

Ekipi i Prishtinës nuk ka humbur kohë dhe ka punuar në zëvendësuesin e “Tokit”, i cili mund të jetë Alban Dragusha, trajneri i Ramiz Sadikut, i cili po bën punë të madhe në Ligën e Parë, tash e një kohë.

Agron Mecinaj, drejtori i përgjithshëm i Ramiz Sadikut ka konfirmuar se nëse Prishtina arrin marrëveshje me trajnerin, klubi i tyre do ta lirojë trajnerin, pavarësisht kontratës.

“Ne si klub nuk e pengojmë askënd për avancim tutje. Nuk i kemi penguar asnjëherë as lojtarët, e as trajnerin nuk do ta pengojmë. Nëse dakordohen mes vete, ne e lirojmë, pavarësisht që ka kontratë edhe 1 vit e gjysmë”, tha Mecinaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Orët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për këtë zhvillim.

/GazetaBlic Sport