Sporti

Diaz anuloi udhëtimin e tij në Kolumbi për arsye sigurie, ushtria dhe policia janë në kërkim të babait të tij

10/31/2023 18:18
nga:L J

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Diaz do të qëndrojë në Angli për arsye sigurie, ndërsa policia dhe ushtria vazhdojnë kërkimin e tyre për të atin e rrëmbyer në Kolumbi.

Të shtunën, prindërit e futbollistit kolumbian Luis Diaz janë rrëmbyer nga persona të panjohur në qytetin Barrancas, prej nga është edhe sulmuesi 26-vjeçar. Nëna e Diazit u shpëtua, por kërkimet për të atin janë ende në vazhdim. Sulmuesi i Liverpool ka dashur të kthehet menjëherë në vendlindje, por të afërmit e kanë larguar për arsye sigurie, raportojnë mediat britanike, përcjell GazetaBlic Sport.

Ushtria kolumbiane tha se po vazhdon kërkimet me mbështetjen e dronëve, pikave të kontrollit, helikopterëve, avionëve me radar të specializuar dhe më shumë se 120 personave.

Shpërblim 45 000 euro për informacion

“Unë fluturova mbi zonë dhe rrëmbyesit do të duhej të kalonin vargmalin Peria, por nuk mendoj se një qenie njerëzore mund ta bëjë këtë në atë zonë,” tha drejtori i përgjithshëm i policisë William Salamanca.

Për informacion rreth rrëmbimit është ofruar një shpërblim prej 45 mijë eurosh. Federata Kolumbiane e Futbollit njoftoi në Instagramin e saj: “Ne kërkojmë nga rrëmbyesit e Luis Manuel Diaz, babait të Luis Diaz, ta lirojnë atë tani, pa kushte. Futbolli është paqe. Lucho, ne jemi me ju. Kolumbia është me ju.”

/GazetaBlic Sport