Lajme

Dialogu në nivel kryenegociatorësh: Nisin takimet në Bruksel

07/02/2024 15:46
nga:G B

Kanë filluar takimet bilaterale në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe më pas do të takohet me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim tjetër dypalësh.

Varësisht nga rrjedha e takimeve dypalëshe dhe nga gatishmëria e palëve, Lajçaku mund t’i takojë Bslimin dhe Petkoviqin në një takim trepalësh.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.

Ajo, mes të tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Radio Evropa e Lirë