Sporti

Gani Sejdiu komenton lëshimin në trofeun e Kupës: Federata e Futbollit të Kosovës duhet të ketë kujdes në detaje të tilla

05/14/2021 16:57
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Llapit e ka fituar këtë edicion trofeun e Kupës së Kosovës.

Koha e rregulltë përfundoi me rezultatin 0-0, kurse vazhdimet u mbyllën poashtu me rezultatin e barabartë, por me gola (1-1), shkruan GazetaBlic Sport.

Në penallti, skuadra e Llapit ishte më e saktë, me ç’rast fituan 4:3 dhe siguruar Kupën e parë në histori të klubit.

Megjithatë, një lëshim i madh ka ndodhur nga Federata e Futbollit të Kosovës në trofeun e këtij edicioni. Një gabim drejtshkrimor e ka dëmtuar imazhin e trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend.

Në vend të “Federata e Futbollit të Kosovës, është shkruar “Federata e Fudbollit të Kosovës”, gjë që ka bërë që të ketë reagime e kritika të mëdha.

Trajneri i mirënjohur kosovar , Gani Sejdiu e ka komentuar këtë lëshim në një prononcim për GazetaBlic Sport.

Ky është një detaj i cili nuk duhej të ndodhte, sepse detajet e bëjnë diferencën. Federata e Futbollit të Kosovës duhet të ketë kujdes të madh në këto, sepse detaje janë edhe një pasqyrim i punës tonë. Absolutisht nuk është mirë që kjo gjë ka ndodhur, sepse duken si detaje të vogla por, natyrisht çojnë peshë. Ne po pretendojmë që të arrijmë në nivele të më të larta, andaj edhe puna jonë duhet të jetë e tillë“, tha Sejdiu për GazetaBlic Sport.

/GazetaBlic/