Lajme

Detaje ekskluzive brenda takimit Osmani- Kurti- Konjufca me QUINT-in: Si ndodhi “përplasja” për referendumin e Serbisë?!

01/15/2022 00:00
nga:Gazeta Blic

Takimi urgjent i zhvilluar sot ndërmjet drejtuesve të institucioneve të Kosovës me ambasadorët e QUINT-it, për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë ka kaluar në një atmosferë jo fort të mirë.

Gazeta Blic nga burime të afërta të takimit të zhvilluar ndërmjet presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca me ambasadorët e vendeve të QUINT-it ka marrë vesh se takimi ka kaluar me tension.

Sipas burimeve, Vjosa Osmani fillimisht ka argumentuar se nuk bën assesi të lejohet mbajtja e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë.

Ajo u ka thënë ambasadorëve që mbajtja e referendumit edhe në Kosovë është shkelje e Kushtetutës dhe cenim i sovranitetit.

Pos saj, edhe dy liderët tjerë, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentri Konjufca kanë kundërshtuar fuqishëm lejimin e mbajtjes së refrendumit të Serbisë në Kosovë.

”Gjatë gjithë takimit ka pasur përplasje. Në një moment, njëri nga liderët ka marrë si shembull se a do të lejonte Austria organizimin e këtij referendumi për qindra mijëra serb që jetojnë atje”, ky burim zbulon detaje nga takimi.

Në anën tjetër, siç merr vesh Gazeta Blic ambasadorët e QUINT-it kanë kërkuar me çdo kusht që Qeveria të lejoj mbajtjen e këtij refrendumi.

Argumenti sipas tyre është që Serbia në vazhdimësi ka organizuar zgjedhje në Kosovë, prandaj, siç merret vesh, në këtë takim u është kërkuar institucioneve kosovare që të mos bëjnë pengesa për refrendumin e së dieles.

Megjithatë, kryeministri Kurti ka insistuar që serbët mund të votojnë vetëm përmes postës dhe përmes zyrës ndërlidhëse.

Kryeministri Kurti pas takimit me ambasadorët e QUINTI-it: Nesër do të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme

”I gjithë takimi ka qenë me përplasje”, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, takimi ka përfunduar pa asnjë dakordim dhe me qëndrime të kundërta.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ftuar seancë të jashtëzakonshme për të shtunën.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca që nesër në orën 14:00 të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit.

Zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në seancë do të synohet të nxirret një rezolutë e përbashkët ku shprehet vullneti i deputetëve për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendi/ Në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër, e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00.

Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës. Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në komunikatë.

Kurti thërret seancën e jashtëzakonshme, synon nxjerrjen e një rezolute për çështjen e referendumit

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani.

Pas këtij takimi të përbashkët ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për nesër, derisa do të dal sot me një komunikatë të përbashkët me Kuvendin dhe Presidencën.

Departamenti Amerikan i Shtetit vjen me reagimin e fundit në lidhje me referendumin serb në Kosovë

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Si rrallë herë, partitë opozitare në vend i kanë dalë në mbështetje Qeverisë së Kosovës. LDK, PDK dhe AAK po e kundërshtojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Përkundër presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, liderët e tri partive opozitare janë në një vijë me kryeministrin Kurti, kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovës.

Në anën tjetër Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar në faqen zyrtare kërkesën e ambasadave të QUINT-it për lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

Zyra për media e Departamentit amerikan të shtetit e ka publikuar deklaratën e përbashkët mbi Referendumin Kombëtar të Serbisë më 16 janar.

01/15/2022 10:29

LDK ende s’ka vendosur: Në ora 13:00 mblidhet Grupi Parlamentar, aty vendoset për seancën e jashtëzakonshme