Lajme

Dështon gjykimi për falsifikim të rezultateve të votimeve në Prishtinë

07/26/2022 13:40
nga:N M

Në mungesë të prokurorit, Ilaz Beqiri ka dështuar të mbahet shqyrtimi i dytë në rastin ku Agron Canolli, Ismet Makolli , Zahir Canolli, Emine Imeri Stublla, Muhamed Avdullahu edhe Sadete Gashi, po akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit.

Gjykatësja Shpresaj Hasaj-Hyseni në lidhje me mungesën e prokurorit ka konstatuar se i njëjti gjendet në një seancë tjetër, sipas saj, rast që kishte përparësi në krahasim me këtë lëndë.

Ajo gjithashtu deklaroi se do të merr aktvendim për propozimin për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës jashtë shqyrtimit gjyqësorë.

“Gjykata këtë kundërshtim do ta shqyrtoj jashtë shqyrtimit gjyqësorë, me qenë se në shqyrtimin e dytë nuk është i pranishëm prokurori i shtetit, në mënyrë që gjykata të nxjerrë aktvendim për aprovim apo refuzim të kundërshtimeve të palëve në procedurë”, tha gjykatësja Hasaj-Hyseni.

Në lidhje me aktvendimin mbi kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, gjyqtarja Hasaj-Hyseni tha që do njoftoj palët me shkrim.

Ndryshe në këtë seancë ishte prezentë edhe përfaqësuesja e KQZ-së, Valbona Kida.

Seanca e radhës për këtë çështje është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës më 11 qershor 2017 në vendvotimin i cili gjendej në Gjimnazin “Sami Frashëri”, në Prishtinë në zgjedhjet për deputet të Kuvendit të Kosovës, të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake, kanë falsifikuar rezultatet e votimit gjatë numërimit të votave.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Agron Canolli në cilësinë e kryetarit të Këshillit të vendvotimit, ndërsa të akuzuarit e tjerë Ismet Makolli, Zahir Canolli, Emine Imeri, Muhamed Avdullahu e Sadete Gashi në cilësi të anëtarëve të këtij Këshilli kanë manipuluar me 363 vota brenda kandidatëve të subjektit të njëjtë politik.

Në këtë mënyrë sipas aktakuzës, të njëjtët kandidatëve të preferuar të tyre u kanë shtuar 240 vota, duke i shtuar koalicionit PAN 115 vota, LDK-së 100 vota, LVV 25 vota e duke i hequr kështu koalicionit të PDK-së 59 vota, LDK-së 52 vota, ndërsa LVV-së 12 vota të cilat i kanë bartur në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve, duke dëmtuar kështu KQZ-në.

Me këtë të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” nga neni 216, par 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Rritje e shifrave: 1187 raste të reja me Covid-19