Lajme

“Dështoi strategjia e Qeverisë për Veriun” – Lladrovci: Zgjedhjet e katër kryetarëve do të duhej të mbaheshin me zgjedhjet qendrore

01/23/2024 20:18
nga:Genita C

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se peticioni për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Mitrovicës është dështim i strategjisë së Qeverisë Kurti.

Lladrovci në një prononcim për GazetaBlic thekson se, mënyra se si po shkarkohen katër kryetarët është në kundërshtim me demokracinë dhe më mënyrën se si po e ndërtojmë shtetin.

“Peticionin e vlerësoj të paarsyeshëm, e shoh si dështim të strategjisë së Qeverisë për veriun, sepse, katër kryetarë janë pjesëtar të subjekteve politike që kanë mundur të harmonizohen me interesat madhore, interesat politike, siç është siguria, rendi, legjitimiteti dhe shtetësia që po ndërtojmë në tërë Republikën e Kosovës”, thotë Lladrovci.

“Qeveria është treguar më fleksibile se sa që kanë merituar katër kryetarë të cilët respektuan vendimin e qeverisë dhe morën pozitën me pak qindra vota”, shtoi ai.

Lladrovci shton se do të luhatet edhe besimi pas kësaj nisme, teksa shton se ky peticion përmbush zotime të panjohura të pushtetit qendror.

“Kryetarët po shkarkohen me një marrëveshje me nënshkrimet e një komuniteti, në kundërshtim me shtetin që po ndërtojmë, në kundërshtim me demokracinë tonë dhe arritjet e shtetit tonë, po instalohet praktikë e cila e kthen prapa vendin dhe rendin ekzistues. Krijon situatë që luhatë besimin dhe legjitimitetin, pa arsye dhe fajin e pushtetit lokal, por, përmbush zotime të panjohura të pushtetit qendror”, tha Lladrovci.

Por, cila do të ishte koha e duhur që veriu të shkojë në zgjedhje?

“Koha më e duhur do të ishin zgjedhjet e katër kryetarëve të veriut të zhvilloheshin bashkë me zgjedhjet qendrore, për të mos lejuar legjitimitetin e presionit ndaj katër kryetarëve që respektuan qeverinë e vet, për të mos lejuar që metodat e tilla të përsëriten në të ardhmen”, tha Lladrovci për GazetaBlic.

 

“Normalizim i raporteve Kosovë-BE” – Kur do të mbahen zgjedhjet e reja në veri të Kosovës?

Berisha: Albin Kurti udhëhiqet me urdhër të zyrës serbe për Kosovën, po implementon vullnetin e Qeverisë së Vuçiqit

Halimi: Ky është muaji kur duhet të mbahen zgjedhjet në veri të Kosovës