Lajme

Dështimi “kapital” i Qeverisë Kurti- Tema e radhës e emisionit “Expose”

11/19/2023 18:10
nga:Gazeta Blic

Me të ardhur ne krye të Qeverisë për herën e dytë, më saktësisht me të marrë drejtimin e Qeverisë më 2021, Albin Kurti kishte prezantuar dy top- prioritete: Masat për pasojat që po linte pandemia dhe zhvillimi ekonomik i venditm raporton Gazeta Blic.

Emisioni dokumentar “Expose” këtë javë e trajton temën e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve kapitale.

Kur tashmë Qeveria Kurti po hyn në vitin e fundit të qeverisjes, ekonomia nuk duket top prioriteti. Madje, as ndër prioritetet kryesore.

Asociacioni dhe dialogu me Serbinë nga prioriteti i fundit i Qeverisë Kurti, e ka zënë vendin tek top prioritetet, duke e lënë zhvillimin ekonomik dhe projektet zhvillimorë nën hije.

Ngjashëm sikursë në dy vitet e para, Qeveria Kurti edhe në vitin e tretë të qeverisjes, vazhdon të ketë performancë tepër të dobët sa i përket projekteve kapitale.

Shifrat janë alarmante. Nga 900 milionë të alokuara për investime kapitale, vetëm 263 prej tyre janë shpenzuar për nëntë muaj.

Madje, disa ministri kanë zero % në investime kapitale për 9 muajt e parë të këtij viti.

Sipas raportit të e të Thesarit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, dy ministrat që kanë realizuar më së paku projekte kapitale janë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ai i Bujqësisë, Faton Peci. Ata nuk kanë realizuar as 1% të investimeve kapitale.

Sa i përket investimeve kapitale për periudhën 9 muajshe është edhe Ministri i Financave, Hekuan Murati që ka shpenzuar vetëm 6 % të buxhetit.

E dobët në investime kapitale është treguar edhe Ministria e Ekonomisë, dikasteri i Artane Rizvanollit, duke shpenzuar vetëm 7 % të buxhetit për projekte. Hiç më mirë s`ka performuar Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që ka shpenzuar veç 8 % të buxhetit për projekte kapitale. Shumica e ministrave kanë dështuar në realizimin e investimeve kapitale.

Ngjashëm sikurse këtë vit sa i përket investimeve kapitale, njëjtë kishte ndodhur edhe vitin e kaluar dhe më 2021.

Shumica e projekteve kapitale nuk u realizuan, e shumë ministra patën performancë tepër të dobët.

Madje, në mungesë të investimeve kapitale, opozita dhe analistët politik u tallën me Qeverinë  Kurti për një projekt “madhor”- gjegjësisht më ndërtimin e një ure në fshatin Saradran, në komunën e Istogut, ku në përurim morën pjesë thuasje e gjithë qeverië.  

Për njohësit e ekonomisë, opozitën e gazetarët, Qeveria Kurti ka dështuar në ekonomi dhe në projektet investuese e zhvillimore.