Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka deklaruar se partia mbështet vazhdimin e bisedimeve për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se prioritet mbetet funksionalizimi i shtetit pas zgjedhjeve.
Në emisionin Click Manaj tha se LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e konstituimit të institucioneve, por nënvizoi se çdo marrëveshje për bashkëqeverisje duhet të jetë në interes të Kosovës dhe të respektojë parimet e partisë.
“Duhet të vazhdojnë bisedimet, sepse është me rëndësi që të themelohen institucionet e vendit pas këtyre zgjedhjeve. Ne kemi shprehur gatishmërinë që të jemi pjesë e konstituimit të institucioneve dhe, nëse formula e bashkëqeverisjes është e përshtatshme për LDK-në, por jo vetëm për LDK-në, edhe për shtetin, atëherë mund të ecim përpara”, tha Manaj.
Ai theksoi se një nga kushtet e panegociueshme të LDK-së është ndarja e posteve më të larta shtetërore.
“Ne kemi kërkesa shumë të qarta që pozitat e presidentit dhe kryeministrit asnjëherë të mos i takojnë të njëjtit subjekt politik. Këto janë parimet tona dhe, pasi të kalohen këto çështje, mund të bisedojmë për një koalicion bashkëqeverisës, që mendoj se i duhet Kosovës”, deklaroi Manaj.


