Janë bërë dy muaj që kur Bashkimi Evropian vendosi masat ndaj Kosovës, për shkak të situatës në veri.
Ndonëse Qeveria e Kosovës ka bërë disa hapa për deeskalim të situatës atje, ata duket se nuk e kanë bindur ende BE-në që t’i heq masat ndaj Kosovës.
Llogaritet që dëmi në ekonominë e vendit nga këto masa është diku rreth 500 milionë euro.
Lidhur me këtë, ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, njëherësh ekspert i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se masat ndëshkuese kanë pasur ndikim të madh në ekonomi dhe jo vetëm, pasi gjendja mjeruese është edhe në politikë, ku vërehet në agjendat e krerëve të shtetit.
“Unë besoj këto masa duhet të analizohen në disa dimensione. Ne po flasim në aspektin ekonomik, masat ndëshkuese në aspektin ekonomike janë të mëdha, e godasin jo vetëm sektorin privat, jo vetëm qytetarin por edhe agjensionet e rëndësishme shtetërore. Në anën tjetër, në aspektin politik besoj që është një dëm që në njëfarë forme Kosova është izoluar në këtë drejtim, po e shohim se jemi të kufizuar, në qoftë se i shihni agjendat ditore qoftë të presidentes, të kryetarit të Parlamentit por edhe të kryeministrit, vërtet janë mjeruese sepse sillet vetëm një rreth vicioz dhe nuk e kanë atë shkëlqimin dhe të promovimit të politikës kosovare dhe ajo çka është më shqetësuese është ngadalësimi i proceseve integruese”, vlerëson ai.
Sipas Gërxhaliut, është shumë e çuditshme që Kosova të ketë masa të tilla, derisa penalizime të tilla ka sot vetëm Rusia, Irani dhe ka pasur Serbia.
“Por mbi të gjitha besoj se duhet të kuptohet se si ndihet sot kosovari kur masa të tilla ka sot vetëm Rusia, Irani dhe ka pasur Serbia në vitet e 90-ta, d.m.th është një ndjenjë shumë e çuditshme sepse një popull që ka vuajtur shumë dhe ndihma e faktorit ndërkombëtar ka qenë evidente dhe të vie në një situatë ku duhet të jetë e penalizuar apo ndëshkuar nga BE është vërtetë mjerimi më i madh”, shprehet ai për Gazeta Blic.
Eksperti i ekonomisë shton se nga këto duhet kuptuar rëndësinë e stabilitetit politik, partneritetin me shtetet aleate dhe se duke pasur këto masa as investitorë të huaj nuk vijnë në Kosovë.
“E tëra kjo është besoj momenti kur duhet të kuptohet sa është i rëndësishëm për një shtet stabiliteti politik, duhet të kuptohet sa është i rëndësishëm partneriteti me shtetet aleate dhe ata që na kanë ndihmuar që sot të jemi Republikë e Kosovës, sa është e rëndësishme që politikëbërësit kosovarë ta mësojnë fjalën sakrificë dhe kompromis dhe sa është e rëndësishme që politikëbërësit në Kosovë ta kuptojnë të vërtetën që pa shtet politik nuk ka zhvillim ekonomik, e them këtë bazuar në faktin që në qoftë se nuk ke fonde nga shtetet aleate, si do t’i mbështesësh projektet e mëdha, e kemi fjalën këtu edhe për investitorë edhe për investime të huaja, kush do të vijë të investojë në një shtet të ndëshkuar siç është Kosova”, potencon Safet Gërxhaliu.
Ai thekson se politikanët kosovarë duhet të mendojnë më shumë me racionalitet dhe ta dinë se çdo ditë e humbur në këtë mënyrë është dëm i madh për vendin dhe se pozitë e opozitë duhet të kenë dialog në koordinim me SHBA-të, pasi nëse nuk bëhet një hap i tillë, Kosova do të jetë shumë më e izoluar.
“Prandaj, besoj që politikanët tanë kosovarë duhet të mendojnë shumë më tepër me racionalitet, sa me emocione politike, duhet të mendojnë për shtet e qytetarë dhe jo vetëm për kalkulime, për vota dhe për pozicion politik. Çdo ditë e humbur në këtë mënyrë është dëm i madh për Kosovën, prandaj është koha kur duhet vërtet të angazhohet dialogu intern mes pozitës dhe opozitës, të kemi një qëndrim vërtet shtetëror në këtë drejtim dhe kuptohet, gjithmonë në koordinim me aleatët tanë, që gjithmonë kanë kontribuar për Kosovën, siç janë SHBA-të dhe vendet evropiane. Në qoftë se një hap i tillë nuk do të ndërmerret, atëherë vërtet Kosova do të jetë shumë më e izoluar, do të ketë edhe masa tjera që do ta ndëshkojnë qytetarin e Kosovës dhe kjo vetëm i ngadalëson proceset dhe e dëmton zhvillimin ekonomik”, thotë ai.
Po ashtu, sipas tij, në situatën që gjendet Kosova, po përshpejtohet procesi i zbrazjes së saj dhe se mjerimi e ka katandisur vendin, derisa s’ka investime të huaja e bizneset kosovare po e bartin kapitalin në vendet evropiane.
“Prandaj, në një situatë të tillë çfarë jemi sot, shumë më tepër po e përshpejtojmë procesin e zbrazjes së Kosovës, se sa po e ndalojmë. Në anën tjetër, brenga më e madhe është që përveç asaj që në Kosovë nuk do të ketë investitorë dhe investime të huaja, kam dronë që edhe bizneset kosovare janë me të madhe duke e bartur kapitalin nëpër vendet e ndryshme evropiane. Vet fakti që edhe në Shqipëri, Maqedoni ofrohen oferta të ndryshme për të investuar në këto vende e Kosova ka probleme politike, besoj është mjerimi më i madh që e ka katandisur Republikën e Kosovës”, deklaron Safet Gërxhaliu./Gazeta Blic/


