Në fund të debatit të sotem në Kuvendin e Kosovës në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë, pozita dhe opozita nuk lëvizën nga qëndrimet e tyre.
Në fund të seancës maratonike dhe përplasjeve të shumta, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi nga partitë që të japin emrat e deputetëve nga radhët e tyre, që do të përfsheshin si anëtarë të Komisionit. Vetëvendosja dhe Grupi Multietnik nuk paraqiten fare emra, LDK propozoi Driton Selmanajn si kryetar dhe Besian Mustafën.
Pdk propozoi deputetët Ferhat Shala dhe Eliza Hoxhën, ndërsa AAK Pal Lekajn.
Megjithatë, nga 61 deputetë të pranishëm në sallë, votuan vetëm tre deputetë, të cilët abstenuan, ndërsa për dhe kundër nuk votuan asnjë prej deputetëve të pranishëm. Kryetari Konjufca votimin e sotëm e cilësoi si votimin më të çuditshëm që ka përjetuar ndonjëherë.
“Konstatojë se ky është rezultati më i cuditshëm që e kam marrë ndonjëherë. Nga 61 deputetë kanë votuar vetëm tre, të tre kanë abstenuar”.
“Konstatoj se Kuvendi nuk ka pasur kuorum. Kjo seancë le të vazhdojë nesër në orën 10:00”, është shprehur Konjufca.


