Sporti

De Rossi: Allegri ka shkruar historinë e futbollit italian, Dybala sulmues i jashtëzakonshëm

05/04/2024 14:34
nga:E K

Trajneri i Roma-s, Daniele De Rossi ka folur në prag të ndeshjes ndaj Juventus-it për trajnerin e kundërshtarëve.

Në prononcimin e dhënë për mediet, ai u shpreh se Massimiliano Allegri ka shkruar historinë e futbollit italian, ndërsa shtoi se ndjen simpati për të.

“Ai gëzon respektin tim, ka bërë historinë e futbollit italian dhe vazhdon të drejtojë ekipin në nivele të larta. Ndjej simpati për të sepse luajti me babanë tim. Ne kemi nevojë për një tjetër performancë të jashtëzakonshme”, tha fillimisht ai.

Më tej kreu i “verdhekuqve” shtoi se sa i përket sulmit ai i beson Paulo Dybala-s, që sipas trajnerit të kryeqytetasve është një sulmues me cilësi të jashtëzakonshme.

“Kemi alternativa në sulm, disa lojtarë i konsideroj të domosdoshëm për ne. Dybala, për sa kohë është mirë, do ta lë të luajë. Ai nuk është aq i shpejtë sa Frimpong, por ai është thelbësor për ne. Është lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, ndaj dhe unë ndoshta insistoj shumë. Të shohim nëse kam të drejtë”-tha ndër të tjera De Rossi.