Ferizaj dhe Drita u takuan të dielën në javën e katërt të ALBI Mall Superliga e Kosovës, në një ndeshje mjaft të tensionuar në fund të takimit.
Drita ishte duke avancuar me rezultat 0-1 deri në fund të takimit, por në 10-të minutat e fundit, Ferizaj arriti të barazonte rezultatin në 1-1, madje në kohën shtesë, Ramush Ramadani i dha epërsinë e parë vendasve për rezultatin 2-1.
Por goli i Ramadanit u anulua pas ndërhyrjes së VAR, dhe pas anulimit të golit, trajneri i Ferizaj, Arbnor Morina reagoi në drejtim të gjyqtarit kryesor, i cili e ndëshkoi me karton të verdh fillimisht, e më pas me karton të kuq.
Për këtë situatë në fundin e ndeshjes, Komisioni Disiplinor ka publikuar vendimin e marr ndaj rastit të Arbnor Morinës:
“Kryetrajneri i KF ”Ferizaj” Arbnor Morina nr ID.001903M64. Në minutën 90 ofendoi gjyqtarin kryesor të ndeshjes, me ç ‘rast u ndëshkua me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Ferizaj-Drita. Bazuar në nenin 40 paragrafi 1 pika D i Rregullores disiplinore; Dënohet me 2 (dy) ndeshje mos ushtrim të detyrës sipas radhës organizuar nga FFK”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor.
Në një sqarim pas këtij vendimi, Morina tha për ‘GazetaBlic Sport’ se reagimi i tij ishte vetëm ndaj një personi që e ka lënduar shpirtërisht më herët, asesi ndaj gjyqtarit ndihmës apo ndaj futbollistëve të Dritës.
“Secili gabim dënohet, por reagimi im nuk është i drejtuar as nga referi ndihmës e as nga lojtarët e Dritës, por nga një veprim i një personit i cili më ka lënduar shpirtërisht më herët. Për gjestin që kam bërë kam kërkuar falje dhe me kaq për mua mbaron ky episod. Shikoni trajnerët në Evropë se çfarë bëjnë, mendoj që deklarata ime pas ndeshjes thotë shumë“, tha Morina.
Kujtojmë që Morina njihet ndër vite nga opinioni sportiv si një trajner shumë i përkushtuar në punën e tij, gjithashtu shumë korrekt dhe se rrallë herë kemi parë reagime të tilla.


