Gilles Grimandi është në mesin e futbollistëve më të njohur që kanë veshur fanellën e skuadrës së Arsenalit.
Francezi ka luajtur tek skuadra nga Londra nga viti 1997 deri në 2002, duke zhvilluar 114 paraqitje, atje ku fitoi zemrat e tifozëve dhe mbetet një figurë shumë e respektuar.
Grimandi fitoi dy tituj të Premier League (1998, 2002), një trofe të FA Cup (2002) dhe dy trofe të Superkupës së Anglisë (1998, 1999) dhe njihet edhe si një person i shoqëruar me një karakter të fortë e të veçantë.

Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, ai ka komentuar edicionin fantastik në të cilin po kalon Arsenali, duke qenë shumë i lumtur dhe shumë i bindur se titulli po kthehet tek ‘Topçinjtë”.
“Unë besoj se Arsenali është në formë të lartë me një shpirt të madh luftarak. Kjo gjë u vërtetua në ndeshjen e fundit, atëherë kur klubi ishte në disavantazh prej 0-2, unë ende shpresoja se do të bënim një ‘luftë’ të mirë. Dhe sado e vështirë që ishte, ne dëshmuam forcën deri në fund të ndeshjes. Ky është shpirti i një fituesi. Ne kurrë nuk dorëzohemi”, tha fillimisht Grimandi.

Më pas, ai foli edhe për rritjen e madhe që Granit Xhaka ka bërë në edicionin e fundit, duke qenë një nga futbollistët më të mirë tek skuadra e Artetas.
“Granit Xhaka është padyshim një nga futbollistët më të mirë tek Arsenali. Por unë mendoj se ai nuk është ende në formën e tij më të mirë, ai ka shumë më tepër për të dhënë për të arritur në nivelin më të lartë. Dhe sigurisht, e shoh atë duke u ngritur në atë nivel me çdo lojë që luan“, vazhdoi Grimand për ‘GazetaBlic Sport’.

Krejt në fund, Grimand shjpegoi edhe një ngjarje interesante që kishte ndodhur në vitin 2013, atje ku si një ish skaut i Arsenalit dëshironte ta transferonte Kylian Mbappe në Londër.
52-vjeçari i ndihmoi Topçinjtë të zbulonin disa të rinj francezë jashtëzakonisht të talentuar dhe ai, së bashku me Arsene Wenger, kishin një sy tek Kylian Mbappe pothuajse një dekadë më parë.
Grimandi u takua me Mbappe në vitin 2013 dhe u përpoq ta lidhte atë me Arsenalin. Sulmuesi, megjithatë, vendosi kundër tij, sepse Topçinjtë “nuk po luanin gjithmonë në maksimumin e tyre”.
“Epo, ky është futbolli…Çdo gjë definitivisht mund të ndodhë në çdo kohë, një lojtar mund të ndryshojë mendje nëse mendon se projekti më i mirë nuk është me këtë klub apo tjetrin. Me sa di unë, vendimi i një lojtari është i fundit përpara se ndonjë gjë tjetër të fillojë gjatë një periudhe transferimi. Por përsëri, ne jemi në pozicionin më të mirë si klub dhe jemi mirënjohës për çdo lojtar që vlerëson dhe dëshiron me dëshirë t’i bashkohet projektit që bordi dhe Arteta kanë përgatitur për klubin në këto momente“, përfundoi Grimand.
/GazetaBlic Sport – Mergim Rrecaj/


