Sporti

Rikthimi i bujshëm i Vedat Muriqit tek Fenerbahce

06/10/2026 09:15
nga:Mergim Rreci

Pas fitores së Aziz Yıldırım në zgjedhjet për president të Fenerbahces, vëmendja është përqendruar te merkatoja e transferimeve.

Ndërkohë, është shënuar një zhvillim i rëndësishëm në lidhje me transferimin e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, i cili prej kohësh ndodhet në agjendën e klubit verdhe-kaltër, transmeton GazetaBlic Sport.

Sipas gazetarit të transferimeve Fabrizio Romano, Fenerbahce ka arritur marrëveshje me Mallorcan për transferimin e Muriqit. Raportohet se klubi turk ka pranuar të paguajë rreth 15 milionë euro për kartonin e sulmuesit.

Muriqi u transferua te Fenerbahçe në sezonin 2019/20, ku shkëlqeu dhe më pas kaloi te Lazio. Në Itali nuk arriti të tregonte vazhdimësinë e pritur, por më vonë u transferua te Mallorca, ku ringriti karrierën e tij. Në ekipin spanjoll ai u bë një nga armët kryesore sulmuese, duke spikatur veçanërisht në duelet ajrore dhe lojën brenda zonës së rreptësisë.

Vlera aktuale e tregut e 32-vjeçarit llogaritet rreth 4.5 milionë euro, ndërsa kontrata e tij me Mallorcën vazhdon deri në vitin 2029. Pas rënies së ekipit spanjoll nga La Liga, largimi i tij konsiderohet shumë i mundshëm. Në sezonin e fundit, Muriqi zhvilloi 37 ndeshje në La Liga dhe realizoi 23 gola, duke regjistruar një nga performancat më të spikatura të sulmuesve në Evropë.

/GazetaBlic Sport/