Prekazi është bërë edhe këtë 28 Nëntor pikëtakim i shqiptarëve nga të gjitha viset, të cilët janë bashkuar për të nderuar familjen Jashari, sakrifica e së cilës është kthyer në simbol të lirisë dhe qëndresës së Kosovës.
Që nga orët e para të mëngjesit, qytetarë të shumtë kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
28 Nëntori, një datë që bashkon disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, në Prekaz merr edhe një domethënie të veçantë. Në këtë ditë kujtohet ngritja e flamurit nga Skënderbeu në Krujë, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë nga Ismail Qemali, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë ditë të shënuar, homazhe në Kompleksin Memorial kanë bërë edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore.
“Për lirinë që ne e gëzojmë sot, Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë. Adem Jashari qysh herët e nisi angazhimin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës. As ai, as familja Jashari, burra e gra bashkë, nuk u dorëzuan; ata rezistuan. Prandaj edhe ne përjetë jemi atyre mirënjohës dhe pikërisht rezistenca e tyre bëri që radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shtohen”, ka thënë Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Kosovës.
“28 Nëntori na përkujton që kemi shumë punë për të bërë, me qëllim që shqiptarët anekënd botës ku janë ta ndiejnë veten të përfaqësuar denjësisht nga dy shtetet e tyre dhe ta ndiejnë veten përgjegjës për sakrificën, për gjakun e derdhur, për të gjithë ata trupa, ata mijëra e mijëra trupa të cilët të mbështjellë me flamurin kombëtar prehen në tokën e Kosovës”, ka thënë Donika Gërvalla-Schwarz, ministre e Drejtësisë.
Në Prekaz kanë bërë homazhe edhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, duke nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
“Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale. Edhe sot u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të rrinë të bashkuar, edhe më të bashkuar se që janë, në mbrojtje të vlerave më sublime që i kemi krijuar si komb”, ka thënë Vlora Çitaku, ushtruese e detyrës së kryetares së PDK-së.
Ndërkaq, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, është mbajtur edhe edicioni i gjashtë i “Vrapimit të Nëntorit”, ku kanë marrë pjesë rreth 400 vrapues të moshave të ndryshme.
Ky aktivitet sportiv tashmë është shndërruar në traditë, duke i bashkuar qytetarët edhe përmes sportit në shënimin e një prej datave më të rëndësishme të historisë kombëtare.

