Sporti

Astrit Fazliu: Duhet të ketë ndryshime tek kombëtarja e Kosovës, futbollistët nga Superliga meritojnë më shumë minuta

09/14/2023 12:45
nga:Mergim Rreci

Futbollisti i njohur kosovar, Astrit Fazliu ka komentuar formën e dobët në të cilën po kalon Kombëtarja e Kosovës.

Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, Fazliu tha se kishte pritshmëri shumë të arsyeshme për të qenë shumë më mirë, duke u bazuar tek kundërshtarët e grupit.

“Rezultatet janë te dobëta, kjo shihet edhe në renditjen tabelare, mendoj se këtë vit me këtë grup që kishim duhet të ishim më lart dhë të luftojmë më seriozisht për 2 vendet e para. Shume gjëra kanë ndodhur gjatë këtij rrugëtimi, sidomos tek ndryshimi i trajnerëve. Mendoj se mungon shpirti luftarak që e shohim momentalisht tek Shqipëria, kemi shumë lojtarë të mirë që mund të japin shumë më tepër, duhet të ketë ndryshime nëse kërkojmë një ekip konkurrues. Federata është ajo që vendos për më të mirën e kombëtares tonë“, tha fillimisht Fazliu.

Tutje, ai tha se duhet të ketë më shumë hapësirë për futbollistët nga Superliga e Kosovës dhe ata që janë larguar në vendet e tjera nga niveli elitar i futbollit tonë.

“Futbollistët që dalin nga futbolli kosovar duhet të kenë më shumë hapësirë. E kemi rastin tek Shqipëria, atje ku futbollistët e dalur nga futbolli ynë po dalin të jenë vendimtar. Mendoj që futbollistët e futbollit kosovar e kanë edhe dëshirën më të madhe, gjë e cila u vërtetua në ndeshjen me Zvicrën, atje ku inkuadrimi i Krasniqit dhe Korenicës dha rezultatin. Shpresoj që në ndeshjet e tjera të ketë më shumë minutazhë për këta futbollistë“, përfundoi Fazliu.

/GazetaBlic Sport/