Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA ka deklaruar se Kosova nuk e ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, pasi moratoriumi, i cili ishte pjesë e Marrëveshjes ka qenë njëvjeçar dhe se ka pasur për qëllim zgjerimin e hapësirës për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas “panikut” të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kosova e ka shkelur në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Uashingtonit, portali serb “KosovoOnline”, i afërt me qeverinë aktuale serbe, i ka bërë pyetje Departamentit të Shtetit, se a e ka shkelur Kosova marrëveshjen e arritur në Uashington në shtator të vitit 2020 me aplikimin e saj për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit është përgjigjur se Kosova dhe Serbia janë vende sovrane dhe kanë drejtë të përcaktojnë prioritetet e tyre të politikës së jashtme.
Ai ka thënë se moratoriumi njëvjeçar që është caktuar me Marrëveshjen e Uashingtonit ishte krijuar për të zgjeruar hapësirën për diskutim në mes Kosovës dhe Serbisë gjë që është në interesat strategjike të të dyja palëve.
“Ne besojmë se një dialog për normalizimin e marrëdhënieve të tyre me mbështetjen e BE-së është thelbësor për të dy vendet për të zhbllokuar të ardhmen e tyre evropiane dhe për të inkurajuar angazhimin e tyre urgjent dhe serioz në proces”, shkruan në përgjigjen e Departamentit të Shtetit.
Kosova të enjten ka aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës, pas së cilës presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka pretenduar se “Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në fillim të shtatorit 2020”. Pjesë e marrëveshjes ishte një moratorium një vjeçar, i cili ka skaduar në shtator të vitit të kaluar, që Serbia të ndërpresë fushatën e saj për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës ndërsa Kosova të mos aplikojë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.


