Sporti

Daja: Ndikuan mungesat, mbetëm pa opsione

11/30/2023 23:50
nga:E K

Ballkani ka pësuar humbje minimale ndaj Viktoria Plzen.

Skuadra mysafire arriti fitore në “Air Albania” me rezultat 0-1, në një ndeshje ku Ballkani ishte skuadër më e rrezikshme, shkruan GazetaBlic Sport.

Goli i vetëm i këtij dueli u shënua në minutën e 81’të të takimit.

Sulc shfrytëzoi një dalje të gabuar nga Enea Koliçi për të realizuar me kokë pas harkimit nga korneri.

Pas ndeshjes foli për media, trajneri Ilir Daja:

“Ka qenë një pjesë e parë e luajtur shumë mirë. Kemi patur probleme me mungesat, por kjo nuk është për të justifikuar humbjen, por aty ku do të mund të kishim freskuar ekipin në fund të pjesës së dytë, ne kishim tre lojtarë të lënduar.

Mbetëm pa opsione. Ky është maksimumi në mungesë të kontingjentit të lojtarëve, pasi lëndimi i Kryeziut në stërvitjen e fundit na bëri të ndryshojmë gjërat.

Nuk duhet harruar se përballë kishim një ekip me përvojë të madhe në garat europiane, ndërsa për ne është vetëm viti i dytë në Europë“, u shpreh tekniku i Ballkanit.

Me këtë humbje Ballkani mbetet në vendin e fundit të grupit C në Conference League me 4 pikë aq sa ka edhe Astana në vendin e 3’të.