Sporti

Conte: Shijo jetën Eriksen, futbolli më pas

06/21/2021 20:48
nga:E K

Antonio Conte kaloi një vit e gjysmë me Christian Eriksen tek Interi, dhe nuk mund të mos flasë rreth momentit dramatik që kaloi fantazisti danez. Trajneri, i cili vendosi të ndahet me Interin pas fitimit të titullit, i uron më të mirat ish-lojtarit, të cilin e fton të mos mendojë për futbollin në këto momente.

“Ishin momente të tmerrshme, të cilat unë i përjetova i vetëm. Ta shihje ashtu me sy të përhumbur… më goditi thellë ajo skenë. Tani është e rëndësishme që Christian të rigjejë qetësinë me familjen e tij. Duhen falënderuar ata që ndërhynë dhe i shpëtuan jetën.

I uroj qetësi dhe të shijojë jetën, do të ketë kohë për të bërë vlerësimet e nevojshme, futbolli kalon në plan të dytë“, deklaron Conte, i cili flet edhe për vetën e tij. Sezonin e ardhshëm nuk do e shohim në stol, pasi kampioni i Serie A ka vendosur të pushojë një vit.

“Dua të studioj dhe të vazhdoj të thellohem edhe më shumë në këtë profesion. Futbolli evolon gjithmonë, dua të shoh sa më shumë ndeshje. Do e shfrytëzoj sa më shumë këtë situatë të padëshiruar“.

Po kombëtarja italiane? Ekipi i Roberto Mancinit po dhuron spektakël dhe po fiton. “Gjykimi është pozitiv, Italia kaloi grupin në mënyrë brilante. Ekipi ka dëshirë të madhe, është një nga kandidat për t’i shkuar deri në fund.

Më transmeton siguri kjo Itali, përveç ekuilibrit mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, po bën gjëra për të mos u nënvlerësuar aspak“, deklaron Antonio Conte për Radio Anch’io lo Sport.