18 vite më parë u zhvillua finalja më spektakolare dhe historike në Ligën e Kampionëve.
Milani dhe Liverpool kishin zbritur në Stamboll për trofeun më të madh evropian, por pa e ditur se do të jenë pjesë e përheshme e historisë të futbollit, duke prodhuar një ndeshje për infarkt.
Italianët kryesonin pas pjesës së parë me rezultatin 3-0, por në të dytën ndodhi “mrekullia”, Liverpool barazoi gjithçka duke e dërguar ndeshjen në shtesë dhe më pas në penallti ku dhe fituan gjithçka.
Pa asnjë dyshim, portieri i Liverpool, Jerzy Dudek ishte figura kryesore e skuadrës angleze, fillimisht me pritjet e tij gjatë ndeshjes, kurse më pas tek ‘bllokimi’ i portës tek penalltitë.
Në një prononcim ekskluziv për gazetën kosovare ‘GazetaBlic Sport’, Jerzy Dudek ka treguar detaje dhe prapaskena të jashtëzakonshme nga ajo sfidë historike.
Dudek e ka përshkruar fillimisht disavantazhin e madh të Liverpool, pastaj atë se çfarë ndodhi në zhveshtore pas 45 minutave të parë, deri tek përmbysja e madhe spektakolare e rezultatit.
“Gjithmonë duhet të besoni deri në fund të ndeshjes, ne kemi punuar shumë dhe e keni parë se çfarë ndodhi pastaj. Para së gjithash, ishte shumë e vështirë të shkonim në finale, fituam ndaj Chelseat, Juventus, Bayern Leverkusen, por në fazën e grupeve ne duhet ta mposhtnim Olympiacos në shtëpi, pësuam gol dhe ishim duke humbur 1-0 pas pjesës së parë dhe duhej të shënonim tri gola që të kualifikoheshim tutje, aty filloi, ne mendonim se mund t’ia arrinim nëse donim… dhe po, ne shënuam tri gola ndaj Olympiacosit, golin e fundit e shënoi Steven Gerrard më duket, ndoshta kjo gjë pati ndikim edhe në finale kur ne po humbnin 3-0 pas pjesës së parë, atje ku po luanim kundër skuadrës së mrekullueshme AC Milan”, tha fillimisht Dudek.
![]()
Tutje, Dudek tregoi se si në zhveshtore u betuan se duhet ta harrojnë atë se çfarë ndodhi në pjesën e parë dhe që të luajnë për gjithçka në pjesën e dytë.
Polaku u emocionua kur përmendi numrin e madh të tifozëve që kishin udhëtuar, kurse më e mira e tyre ishte se nuk po ndaleshin duke kënduar edhe pas rezultatit të thellë prej 3 me 0.
“Në dhomat e zhveshjes, ne donim të ndryshonim diçka, ne donim të tregonim karakterin tonë, ADN’në e Liverpoolit, të jem i sinqertë, ishte kohë “shoku” në zhveshtore, ne vetëm i thamë njëri-tjetrit se duhet ta harrojmë këtë pjesë të parë, duhet të tregojmë dhe japim diçka për tifozët. Ne dolëm nga tuneli dhe besoni apo jo dhe tifozët e Liverpoolit filluan të këndojnë “You’ll Never Walk Alone”, që ishte fantastike, për opinionin tim krijon diçka speciale, pasi na dha një mesazh neve, lojtarëve, se ende besonin tek ne. E pamë këtë, Gerrard i kërkoi të gjithë lojtarëve të dalin tek fusha, ku bëmë një rreth dhe tha: Dëgjoni djemë, ne duhet të bëjmë diçka për ta, janë fantastikë, kanë udhëtuar mijëra kilometra për të na shikuar në Stamboll, le ta shkruajmë historinë, le t’i japim diçka atyre, t’ua rikthejmë.

“Filluam të bëjmë presion ndaj Milanit, shënuam golin e parë shumë herët në pjesën e dytë, pas kësaj stadiumi ‘shpërtheu’, tifozët po këndonin edhe më shumë, ne si lojtarë po besonim edhe më shumë, po bënim edhe më shumë presion. Dhe po, pas gjashtë minutave, ne ndryshuam historinë, pasi shënuam tri herë, që është pjesë e historisë dhe ADN’së së Liverpoolit. Ndodhi, nata magjike në Stamboll, ndodhi. ADN, historia, puna e madhe dhe bashkimi i ekipit ndikuan dhe dhanë rezultatte, pasi kishim skuadër të madhe, të fortë mentalisht dhe për atë kishim pjesë të dytë më të mirë se Milani”, vazhdoi Dudek me deklaratën e tij për ‘GazetaBlic Sport’.
? Jerzy Dudek to the rescue
THAT double save = ???Liverpool's 2005 hero turns 47 today ?#UCL | @LFC pic.twitter.com/3me2vDJViJ
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) March 23, 2020
Dudek ishte vendimtar me pritjet e penalltive dhe në komentin e tij për ‘GazetaBlic Sport’, ai tregoi ‘formulën’ se si arriti të priste goditjet e futbollistëve të Milanit.
Portieri polak e pranoi se kishte punuar shumë në aspektin psikologjik dhe pikërisht aty i ‘ngacmoi’ futbollistët e Milanit, të cilët duhet pranuar se ranë në grackën e tij.

“Në penallti doja të bëja presion tek lojtarët, i shihja lojtarët duke u nisur, unë thjesht prisja dhe i shikoja direkt në sy, dhe iu thoja se do të godasin si gjithmonë dhe kthehesha, nuk doja të ndëgjoja përgjigjet e tyre, ishte pjesë psikologjike, sepse të gjithë e dimë se lojtarët janë në presion të madh për të shënuar golin, Nëse ne presim goditje, bëhemi hero – nëse jo, është okej, është përgjegjësi e lojtarëve, 100% ata duhet të shënojnë, andaj unë po e shfrytëzoja këtë (presionin) sa më shumë që mundja dhe në fund shkoi mirë për mua, për ekipin tim”, shtoi Dudek.
? 2005 final penalty shoot-out…
? Throwback to how Jerzy Dudek sealed Liverpool's Champions League miracle in Istanbul ?#UCL | @LFC pic.twitter.com/6edUcOIhac
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) February 2, 2021
Krejt në fund, Dudek tregoi emocionet e mëdha që kishte pas përfundimit të ndeshjes, atje ku u trajtuar ashtu siç e meritonte, si një hero i madh i skuadrës së tij.
Ish portieri i Liverpool tha se kjo ndeshje nuk është vetëm një inspirim për futbollistët dhe sportistët, por edhe për njerëzit në sfidat që kanë në jetën e tyre.
“Kur përfundon ndeshja, ju nuk e kuptoni se çka realisht ndodhi, sepse emocionet janë të mëdha, jeni të lumtur që jeni pjesë e fitores, i lumtur për tifozët, familjen, lumturia që sheh përreth është fantastike. Pas ndeshjes, në mëngjes ne ishim në Liverpool, në autobusin e hapur duke udhëtuar nëpër qytet, ishin 1 milion tifozë, ata ishin gjithandej, kishte edhe tifozë të Evertonit, në shtëpitë e tyre ata vendosën letra urimi për ne, ishte e mrekullueshme. Mendoj disa muaj më pas ne e kuptuam se çka kemi bërë, pasi u kthyem pas pushimeve, kur duhej të bënim punën tonë sërish. Kur e përfundon karrierën, ju filloni ta kuptoni se keni bërë diçka speciale, njerëzit të tregojnë se ajo ishte ndeshja më e mirë në histori, duket se është e vërtetë, sepse emocionet që kishim para ndeshjes, në ndeshje, në pushim të pjesës së parë, tregojnë gjithçka.
“Është diçka e bukur, pasi gjithandej botës keni tifozë, ata ende e përmendin këtë ndeshje që është mirë, pasi ishte shumë vite më parë, dhe një ndeshje e tillë ndodhë ndoshta një herë në 20, 30 apo 40 vjet, nuk e di, është speciale pa marrë parasysh, kjo ndeshe mund të jetë inspiruese për njerëzit në jetë, sepse ndonjëherë nuk mund të ndryshosh pjesën tënde të keqe në jetë, por nëse me të vërtetë fokusohesh, punon shumë dhe ke plan, atëherë mund të largosh gjërat e këqija. Ne e bëmë këtë, ishte fantastike, shembull për të tjerët jashtë futbollit”, përfundoi Dudek me komentin e tij.

/GazetaBlic Sport/


