Lajme

Çka tha Konjufca që “nervozoi” opozitën?

12/31/2023 12:07
nga:G C

Është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.Kështu deklaroi pak ditë më parë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, raporton GazetaBlic.

Kjo deklaratë e tij u kritikua dhe u cilësua si një ikje nga përgjegjësitë që tashmë Qeveria Kurti ka marrë, përfshirë këtu formimin e Asociacionit.

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati thotë se partia në pushtet duke shkuar në zgjedhje po mendojnë që ndërkombëtarë e harrojnë marrëveshjen e pranuar nga kryeministri Kurti.

“Sepse po duan t’i ikin implementimit të autonomisë që vetë e kanë pranuar me nenin 7, kështu shpresojnë që duke shkuar në zgjedhje partnerët ndërkombëtar e harrojnë marrëveshjen”, tha Kastrati.

Kastrati thotë se Qeveria e Albin Kurtit e ka sjell vendin para dy opsioneve shumë të dëmshme.

“Thjeshtë, pavarësisht a ka apo nuk ka zgjedhje këta e kanë sjell vendin para dy opsioneve shumë të këqija, autonimi për serbët ose sanksione”, tha Kastrati.

Tutje, sipas Kastratit VV’ja dëshiron zgjedhje të parakohshme për t’i turbulluar mendjen elektoratit.

“Njëkohësisht duan të shkojnë në zgjedhje për t’i turbulluar mendjen elektoratit me shpresë që ata harrojnë se si ky pushtet kalamajsh ju ka rrënuar jetën me çmimet të larta, varfërim dhe me këtë të fundit, rritja e faturës për energjinë elektrike”, tha Kastrati për GazetaBlic.

Anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina për GazetaBlic thotë se për tri vite të Qeverisë Kurti në pushtet nuk kanë parë asnjë rezultat.


Pantina thotë se, me qeverisjen e Kurtit ka pas ngecje e përkeqësim të shumë situatave, teksa thotë se nuk e di arsyen pse duhet të rritet mbështetja ndaj VV’së.

“Këto gati tri vite sa ka qeverisë Vetëvendosje, nuk kemi pa asnjë rezultat të punës së tyre që ka rritur mirëqenien e qytetarëve. Përkundrazi vetëm ka pasë ngecje dhe pëkeqsim sidomosa në inflacion. Prandaj, nuk e di cilat do të ishin arsyet pse duhet rritur mbështetja për VV’në”, tha Pantina.

Pantina e cilëson Qeverinë Kurti si më të dobëtën qysh nga paslufta, teksa paralajmëron që pasojat do të ndihem mirë në të ardhmen.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se partia në pushtet po tenton t’i hedhë pluhur syve qytetarëve përmes sondazheve e deklaratave të tilla, teksa shton se qytetarët s’kanë arsye të votojnë këtë Qeveri.

“Se VV do të fitojë 50% e do të kalojë shkurtin e para 3 viteve ato janë ëndrra të pushtetit, për vetëknaqësi.Qytetarët nuk e kanë asnjë arsye për të votuar edhe njëherë këtë pushtet”, thotë Lekaj.Tutje,

Lekaj shton se qytetarët e kanë humbur besimin e qytetarëve: “Vetëvendosja e ka thyer besimin e moralin e qytetarëve të cilët pa kushte i votuan dhe i përkrahën në zgjedhje. Madje edhe diaspora i ka përkrahur pa rezerva. Dhe tani jemi në një situatë ku rezultati është zero dhe më keqë se qka qenë”, shtoi ai për GazetaBlic.

Ndërsa, ish-deputeti i VV’së, Haki Abazi thotë se deklarata e Vetëvendosjes se kinse do të fitojnë edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme, është për t’iu ikur llogaridhënieve për dështimet e tyre.

Abazi në një prononcim për GazetaBlic thekson se, qeveria Kurti ka dështuar edhe në çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Kjo deklaratë është në kuadër të pozicionimeve të fundvitit, kështu duke iu ikur llogaridhënieve dhe dështimeve të njëpasnjëshme në qeverisje, sidomos në çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe vitit të parë që Kosova po hinë me sanksione në vitin tjetër”, tha Abazi.

/GazetaBlic/